“Pjesë e Serbisë”, “Vendi im quhet Republika e Kosovës”, Kurti e Bërnabiq përplasen në Londër

Aktuale

“Pjesë e Serbisë”, “Vendi im quhet Republika e Kosovës”, Kurti e Bërnabiq përplasen në Londër

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 07:50 Përditësuar në ora: 16:28 më 26.02.2024
Pamje nga Samiti në Londër

“Pse duhet investitorët e huaj, të vijnë në vendin tuaj?”, Kurti flet në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024

Gjatë qëndrimit në Londër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Samiti nisi me një panel diskutimi mes krerëve të 6-të shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të së cilit u zhvillua një sesion pyetje-përgjigje, ku u diskutua për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor. Në panel ishte prezente dhe Presidentja e BERZH-it, Odile Renaud-Basso.

Në pyetjen e parë, mbi atë se “Pse duhet investitorët e huaj, të vijnë të investojnë në vendin tuaj?”, kryeministri Kurti tha se 3 vitet e fundit Kosova ka njohur përparim demokratik, zhvillim ekonomik dhe stabilitet institucional, të cilat na ndihmuan dhe të luftojmë me sukses kërcënimet e sigurisë dhe të adresojmë pabarazinë sociale dhe ndryshimet klimatike.

Ai shtoi se “Kosova kryeson Ballkanin Perëndimor në parashikimet e rritjes reale ekonomike për vitet 2023 deri në vitin 2025. Në 3 vitet e fundit rritja mesatare ekonomike ishte 6.2% e PBV-së dhe ne kemi bërë përmirësime të dukshme në sundimin e ligjit dhe avancimet në të drejtat politike, liritë civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në mënyrë të favorshme në skenën globale për investime, dhe ne jemi të vendosur në zemër të rajonit të EMENA-s.”

Si një shtet me fuqi punëtore të re dhe shumëgjuhëshe, moshë mesatare të popullsisë të re në Kosovë, 31 vjeç, dhe ekonomi të hapur të tregut, jo vetëm që nënvizon përkushtimin e Kosovës për mjedis miqësor ndaj biznesit, por edhe tregon kosto konkurruese të tregut të punës.

“Jemi në pozicionin më të mirë për investime në sektorin e teknologjisë. Në Indeksin e konkurrencës së TI-së për vitin 2023 për rajonet e Evropës në zhvillim, nga 23 shtete evropiane, Kosova renditet e 11-ta, duke lënë pas të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një shtet anëtar të BE-së. Në këto 3 vite kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e huaja direkte. Ne kemi nevojë për më shumë investime, por Kosova është shumë e përshtatshme për investime të huaja sepse kjo tashmë po ndodh. Pra, ne kemi nevojë për më shumë, të së njëjtës gjë, dhe qeveria jonë është e përqendruar në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, në përputhje të plotë me SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe, gjeopolitikisht dhe qasjen e bazuar në vlera edhe në drejtim të të bërit biznes, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. që së fundi mbushi dy vjet.” u shpreh kryeministri Kurti.

Kryeministri përmendi dhe se brenda vendit, një element shtesë në të cilin po punohet shumë është lidhja e tregut të punës me arsimin profesional, e po ashtu dhe diasporën tonë e cila nuk sjell vetëm remitanca, por edhe investime, dhe etikën e njohuritë e tyre të punës.

Në pyetjen e dytë mbi prioritetet në projektet rajonale ndërkufitare, kryeministri theksoi nevojën për investime në infrastrukturë por edhe në fushën e energjisë dhe arsimit. Mbi energjinë ai përmendi ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.

Më tej ai foli mbi projektet rajonale e të ndërlidhjes me shtetet fqinje si me Shqipërinë hekurudha Prishtinë-Durrës, shoqëruar me zhvillimin e një porti të thatë, me Maqedoninë e Veriut rruga Prizren-Tetovë, me Malin e Zi, ndërtimi i rrugëve të reja për ndërlidhjen e Kosovës me Malin e Zi si Peja e Deçani me Rozhajën, Plavën, Andrijevicën, të gjitha këto me qëllim lehtësimin e kalimit ndërkufitar dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes nesh.

Kryeministri falënderoi dhe BERZH-in për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme në sferën publike dhe private.

Në përgjigje ndaj pyetjeve të audiencës, kryeministri shtoi dhe se Kosova ka pasur deficitin buxhetor më të ulët në rajon, uljen e borxhit publik, maturinë në financa, marrëdhëniet e shkëlqyera me FMN-në dhe Bankën Botërore, rritjen e të ardhurave tatimore pa ndryshuar politikën fiskale, rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, stabiliteti financiar, investimet në katër sektorë të rëndësishëm si bujqësia, mbrojtja dhe siguria, shëndetësia dhe arsimi, nënvizoi marrëdhëniet tona të shkëlqyera me Bankën Qendrore Evropiane, BE-në si partner kryesorë të shkëmbimit tregtar dhe qëllimin për thellimin e këtij bashkëpunimi, si dhe përmendi ndërtimin e kornizës legjislative për fondet e investimeve bashkë me USAID, dhe Fondin Sovran.

Kurti: Ne nuk kemi asnjë relacion me federatën ruse, Putinin e duam të mposhtur

Kryeministri Albin Kurti është pyetur se si do të realizohet transporti kur disa vende ende nuk e njohin si shtet.

Kurti është përgjigjur se pika kryesore e kësaj është Bashkimi Evropian dhe se ky bashkëpunim pritet te thellohet dhe të forcohet.

Po ashtu ne lidhje me federatën ruse, Kurti mohoi çdo marrëdhënie të mundshme me ta dhe se asnjëherë nuk do të ketë.

Ai potencoi se Ukrainën dëshiron ta sheh si fituese ndërsa presidentin rus të mposhtur, njofton Klankosova.tv.

“Ne nuk kemi marrëdhënie me federatën ruse, ne kemi vendosur sanksione ndaj saj, ne duam që Ukraina të fitojë luftën, ne duam që Ukraina sa më shpejtë të jetë e mundur të dalë si fituese dhe shteteve demokratike evropiane dhe të botës i duhet ta shohin Kremlinin dhe presidentin despotik Vladimir Putinin të mposhtur. Pra ne nuk duam asnjë marrëdhënie me ta, edhe nëse ata duan ne jo”, u shpreh Kurti.

Reagime të ashpra mes Kurtit dhe Bërnabiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq patën një përplasje në Samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga BERZH-i në Londër.

Në samitin ku po marrin pjesë 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përplasja lindi natyrshëm kur Bërnabiq tha se Kosovën e shohin “si pjesë të Serbisë”. Kurti më pas ia kujtoi se ajo quhet Republika e Kosovës dhe se njihet anë e mbanë botës si shtet.

Teksa po fliste për investimet e huaja në Serbi, Bërnabiq tha se statistikat nuk e përfshinin Kosovën.

“Serbia po ndryshon. Dhe kur them Serbia qendrore, është e dyta herë që po e them këtë, mendoj Serbia që nuk përfshin në statistika krahinën autonome të Kosovës e Metohisë, që ne natyrisht e shohim si pjesë të Serbisë. Kjo është politikë, ne tash po flasim për ekonomi dhe është me rëndësi për mua të flas vetëm për ekonominë”, tha ajo.

Pas saj foli Kurti, i cili u pyet paraprakisht nga dikush si arrin Kosova të tregtojë me vendet mosnjohëse.

Pikë së pari, partneri ynë kyç është bashkësia europiane dhe dëshirojmë që ta fuqizojmë këtë bashkëpunim. Kosova është njohur nga 117 vende anë e mbanë botës, 22 nga 27 në Europë, 26 nga 30 në NATO dhe 3 nga 4 vendet fqinje. Nuk kemi lidhje me Federatën Ruse. Iu kemi vënë sanksione atyre dhe duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Na duhet bota dhe Europa demokratike që ta shohim të mposhtur Kremlinin dhe kryetarin despotik, Putinin. Edhe nëse ata do të donin, ne nuk do të donim të kishim punë me ta. Kemi pak import me Kinën, por bashkëpunojmë kryesisht me BE-në”, tha Kurti.

Më tej, kryeministri tha se po të fliste si Bërnabiq, do ta përmendte Vojvodinën, Sanxhakun, Luginën e Preshevës…

“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç iu referua këtu, ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, sepse përveçse Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës… Më mirë të përqëndrohemi në ekonomi”, tha Kurti.

Kurti në Londër: Kosovës i duhen më shumë investime të drejtpërdrejta

Në samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë si në vlerat politike ashtu edhe në ato të biznesit.

Kurti tha se Kosova ka fuqi punëtore duke përmendur moshën mesatare të popullsisë.

Në tri vitet e fundit, Kurti tha se janë dyfishuar eksportet dhe investimet e drejtëpërdrejta të huaja, por shtoi se nevojiten ende investime të tilla.

Ai përmendi edhe arsimimin profesional duke thënë se projekti ka nisur në 14 komuna.

Në fund, kryeministri Kurti tha se diaspora po sjellë vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë.

“Kemi pasur zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që na ka ndihmuar shumë të luftojmë me sukses rreziqet për sigurinë dhe po ashtu të adresojmë ndryshimet klimatike dhe pabarazinë sociale… Kemi po ashtu edhe përparime në rendin e ligjit dhe avancimin në të drejtat politike, në të drejtat civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale dhe jemi në zemër të lidhjes mes Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31 vjeçare dhe kemi një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investimet teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11’ta në një rangim duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një anëtare të BE’së. Në këto tri vite kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja FDI, na duhen më shumë të tilla por jemi në vend të mirë sepse veçse po kemi këso investime, na duhen ende investime të këtij lloji. Jemi të dedikuar për rendin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në vijë me Amerikën dhe Anglinë, si në vlerat politike edhe në ato të biznesit sidomos pas agresionit rus në Ukrainë që tashmë së fundi ka mbushur dy vjet. Dhe një element shtesë për të cilin kemi punuar shumë është për ta lidhur tregun e punës me arsimimin profesional në mënyrë që të kemi njerëz më shkathtësi të duhura, me çdo diplomë që jepet në shkollat tona të ofrohet edhe një vend pune. Kemi nisur këtë projekt në 14 komuna, 21 shkolla, 12 profile të ndryshme dhe këtë e kemi mësuar nga diaspora jonë e fuqishme sidomos në Gjermani dhe Zvicër, që po na i çojnë jo vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë”, tha Kurti.

Basso: Siguria e Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, mesazh për botën

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 ka nisur të mbahet sot në selinë e BERZH-it në Londër.

Në fjalimin saj kryetarja e EBRD (BERZH), Odile Renaud Basso, tha se se ndjehet e kënaqur që po hap takimin e 6 të këtij lloji, derisa shtoi se është një moment i mirë që të shohim se deri ku kemi arritur në investimet në Ballkanin Perëndimor.

Ajo shtoi se në një bashkëpunim të gjerë në këtë rajon, në këtë format të ri, me një të kaluar të vështirë, situata tani është normalizuar.

Basso më tej tha se kryeministrat e Ballkanit Perëndimor janë fokusuar në objektivat që dërgojnë mesazh të fortë në vendet tjera të botës e ajo është që ky rajon ka arritur në një nivel të ri të sigurisë dhe stabilitetit dhe si arritje më e madhe ajo vlerësoi bashkëpunimi mes vendeve.

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 ka nisur të mbahet sot në selinë e BERZH-it në Londër

Në fjalimin saj kryetarja e EBRD (BERZH), Odile Renaud Basso, tha se se ndjehet e kënaqur që po hap takimin e 6 të këtij lloji, derisa shtoi se është një moment i mirë që të shohim se deri ku kemi arritur në investimet në Ballkanin Perëndimor.

Ajo shtoi se në një bashkëpunim të gjerë në këtë rajon, në këtë format të ri, me një të kaluar të vështirë, situata tani është normalizuar.

Basso më tej tha se kryeministrat e Ballkanit Perëndimor janë fokusuar në objektivat që dërgojnë mesazh të fortë në vendet tjera të botës e ajo është që ky rajon ka arritur në një nivel të ri të sigurisë dhe stabilitetit dhe si arritje më e madhe ajo vlerësoi bashkëpunimi mes vendeve.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë edhe kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Gjithashtu të pranishëm janë edhe krerët e qeverive nga Ballkani Perëndimor.

Mbahet Samiti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, merr pjesë Kurti

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 do të mbahet sot në selinë e BERZH-it në Londër. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati do të marrin pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024.

“Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. 

Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji; Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi së bashku të gjithë kryeministrat e rajonit.

Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in. Sot, BERZH mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit, me më shumë se 18 miliardë euro të investuara deri më sot.

Pika kryesore tradicionale e Samitit – “Sesioni i Kryeministrave” interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kyçe rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit, ku përfshihen Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina,Kosova Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat