“Po shkoj ta marr kallashnikovin dhe do ju vras”, Policia konfirmon kërcënimin ndaj karabinierëve italianë, arreston dy persona

Aktuale

“Po shkoj ta marr kallashnikovin dhe do ju vras”, Policia konfirmon kërcënimin ndaj karabinierëve italianë, arreston dy persona

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 21:47
KFOR

Jo rrallëherë përfaqësuesit e sigurisë në vend ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë u ka ndodh edhe disa karabinierëve të KFOR-it. Ata janë kërcënuar me jetë derisa ishin për vizitë në fshatin Lubiqevë të Prizrenit.

Për rastin siç mëson Gazeta tashmë janë arrestuar dy të dyshuarit: Ahmet Krasniqi dhe Izijet Halilaj.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia e Prizrenit e cila ka njoftuar se në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit ë gjetur një pushkë dhe municione.

“Njëri nga të dyshuarit është arrestuar nga policia, ndërsa më vone edhe i dyshuari i dytë është arrestuar. Janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve, në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjet një pushkë dhe municion”, konfirmon Policia.

Dy të dyshuarit i kanë ofenduar pjesëtarët e KFOR-it, dhe më pas njeri prej tyre i ka kërcënuar me vrasje.

Policia në njoftimin për rastin ka zbuluar se kanosja ndaj zyrtarëve italianë të KFOR-it ka ndodh sot rreth orës 10 të mëngjesit.

“Me date 26.02.2024 rreth orës 10:10 policia ka marre informatën se ne fshatin Lubiqevë dy persona të dyshuar i kane kanosur pjesëtaret e KFOR-it Italian të cilët ishin për vizite ne atë fshat”, tha Policia.

“Patrulla policore ka dale në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me karabinierët të cilët kanë deklaruar se për deri sa ishin duke qëndruar në një lokal aty në fshat, të dyshuarit afrohen fillimisht duke i ofenduar e me pas njeri nga te dyshuarit i ka kanosur me vrasje duke ju thënë ,,se do shkoj në shtëpi të marr Kallashnikovin dhe do ju vras të gjithëve””, zbulon Policia se si ndodhi rasti sot në mëngjes.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat