Mbyllet Samiti për Ukrainën në Tiranë, liderët e pranishëm realizojnë foton familjare

Aktuale

Mbyllet Samiti për Ukrainën në Tiranë, liderët e pranishëm realizojnë foton familjare

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 10:50 më 28.02.2024
Pamje nga Samiti në Tiranë

Shqipëria dhe Ukraina nënshkruajnë një marrëveshje

Shqipëria dhe Ukraina kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit që përforcon dhe promovon miqësinë mes të dy vendeve.

Ujdinë e firmosën kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pas takimeve bilaterale, dy liderët do të marrin pjesë në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë.

Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Pjesë e këtij samiti do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani në Tiranë: Samiti synon riafrimimin e përkrahjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë sot me ftesë të kryeministrit Edi Rama në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore që do të mbahet në Tiranë.

Në këtë Samit do të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe lider të tjerë nga Evropa Juglindore.

Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca, potencohet se Samiti ka për qëllim që të riafirmojë angazhimin e përbashkët të kësaj pjese të Evropës në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarishtt.

“Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore  për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.Nga ky samit, parashihet t`i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën, si dhe të diskutohet ndihma konkrete e shteteve të EJL-së për Ukrainën”, thuhet në njoftim.

Çfarë ndodhi? Kryeministri grek Mitsotakis nuk shkon në Samitin e Ukrainës në Tiranë

Kryeministri grek Mitsotakis nuk bëhet pjesë e Samitit të Ukrainës që zhvillohet sot në Tiranë, për shkak të përkujtimores së aksidentit të Tempit.

Si sot një vit më parë në Greqi ndodhi një aksident i rëndë hekurudhor, ku nga përplasja e dy trenave vdiqën 57 pasagjerë, katër prej tyre ishin të rinj shqiptarë.

Një arsye tjetër e mospjesëmarrjes së kryeministrit grek në Tiranë është klima negative që ekziston në vend si dhe greva e përgjithshme që ka nisur sot në vend.

Ardhja e tij në Shqipëri ishte konfimruar, por situata në të cilën ndodhet nuk e ka bërë të mundur pjesëmarrjen e tij në Samit. Ka qenë vetë Mitsotakis që i ka shkruar Ramës dhe i ka thënë se do kenë raste të tjera së shpejti për t’u takuar.

Hasani: Plani me 10 pika i Zelenskyt, mundësia më realiste për t’i dhënë fund luftës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani në një konferencë të përbashkët me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba, bëri me dije se shumë shpejt do të hapet ambasada shqiptare në Kiev.

Hasani theksoi se në takim me Kulebën kanë diskutuar edhe për ndihmën financiare e ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për të tejkaluar situatën në Ukrainë.

Sipas Hasanit, plani 10 pikësh i presidentit Zelensky është mundësia më reale për t’i dhënë fund luftës.

“Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelenski, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që Ka të bëjë me  “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, u shpreh Hasani.

“Pas përfundimit të detajeve ligjore e financiare, jemi në fazën e përgatitjeve teknike për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Kiev, duke mbajtur në vëmendje edhe situatën e sigurisë në kryeqytetin e Ukrainës, por shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në Pak muajt e ardhshëm”, vazhdoi ai.

“Kemi zhvilluar bisedë të sinqertë e konstruktive për marrëdhëniet e mira e pozitive që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si edhe kemi folur për rrugët e mënyrat e çuarjes së tyre përpara, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Ukrainës”.

“Kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë; Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, pasi këto marrëdhëniet duhet të ngrihen në nivelin e atyre marrëdhëniet të shkëlqyera politike që ne kemi. Ekzistojnë mundësitë që shkëmbimet tregtare, edhe pse në të tilla kushte të jashtëzakonshme, të marrin një dimension të ri në rritje”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Igli Hasani.

Hasani potencoi se Ukraina është e vendosur që e ardhmja e saj të jetë në krah të demokracisë, lirisë dhe vlerave evropiane.

Nga pritja në kryeministri te dhuratat! Publikohen pamjet e takimit mes Ramës e Zelenskit

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e mikpritjes për herë të parë në Shqipëri, të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt.

Kreu i qeverisë e ka pritur Zelenskyn në hyrje të godinës së qeverisë më pas e ka shoqëruar brenda ambienteve deri në zyrën e tij.

Rama i ka dhuruar Zelenskyt edhe librin e tij me piktura.

Zelensky pritet nga Rama

Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri, Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Takimi Rama-Zelensky është i pari në axhendën e ngjeshur të Presidentit të Ukrainës në këtë vizitë të parë në Shqipëri, ndërsa më pas parashikohet takimi mes dy delegacioneve ndërsa pritet firmosja e një marrëveshjeje dypalëshe.

Presidenti Zelensky po zhvillon vizitën e tij të parë në Tiranë në kuadër të Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, që organizohet sot në kryeqytetin shqiptar.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy është bashkëorganizator i Samitit, së bashku me Kryeministrin Edi Rama. Në Samit marrin pjesë 13 udhëheqës të 13 shteteve nga Europa Juglindore.

Përpara pjesëmarrjes në samitin “Ukrainë-Evropa Juglindore” në Tiranë, Zelensky konfirmoi se palët do të diskutojnë bashkëpunimin politik dhe atë të mbrojtjes, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë.

Nga Osmani te Vuçiqi, kush janë liderët që pritet të shkojnë sot në Tiranë për Samitin e Ukrainës

Tirana do të presë ditën e sotme liderë të vendeve të ndryshe, të cilët do të jenë të pranishëm në Samitin për Ukrainën.

Liderët që do t’i bashkohen punimeve të samitit për Ukrainën janë: Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana KristoK, kryeministri kroat, Andrej Plenkovic.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Rinasit, ku u prit nga ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov.

Punimet e Samitit do të zhvillohen në ambientet e pallatit të Kongreseve, aty ku do të mbahet ceremonia pritëse, ndërsa në përfundim të sesioneve të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

E teksa sot do mbahet samite për Ukrainën, nesër, 29 shkurt, do të vijohet me Samitin e Ballkanit Perëndimor. Fokusi i këtij takimi do të jetë tek plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit europian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.

Zelensky për herë të parë në Tiranë! Nga takimi kokë më kokë me Ramën te samiti në Pallatin e Kongreseve, marrëveshjet që do të firmosen

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Tiranë. Nga fronti i luftës, Zelensky mbërriti pak para mesnate në Rinas për të marrë pjesë në samitin për Ukrainën që mbahet sot në Tiranë.

Lideri ukrainas u prit në aeroport nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në Rinas ishin të pranishëm edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali dhe ambasadori ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

Vizita e Presidentit Zelensky shoqërohet nga një agjendë e ngjeshur. Takimet nisin me pritjen zyrtare të kryeministrit Rama në orë 09:00, e shoqëruar më pas nga një takim kokë më kokë mes udhëheqësve në kryeministri. Më 09:30 bëhet një takim bilateral mes dy delegacioneve, firmosjen e marrëveshjeve më 10:10 dhe më pas palët do t’i drejtohen Pallatit të Kongreseve nga ku në këtë tapet të kuq do të mbërrijnë në Samitin e organizuar nga Qeveria Shqiptare, 13 udhëheqës të 13 shteteve nga Europa Juglindore.

Agjenda:

09.00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.

Mediat do të kenë akses në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Këshillit të Ministrave.

 09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy.

 9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.

Pamjet dhe fotot e takimeve do të shpërndahen për median në kanalet zyrtare të komunikimit dhe platformat e tjera sociale.

 10.10 –  Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës

Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale

11.00 – ​​Doorstep dhe mbërritja e liderëve  ( Pallati i Kongreseve)

Akses të gjithë mediat, përpara Pallatit të Kongreseve

11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.

Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale

 13:00 – Foto Familjare

Të gjitha mediat

 13.30 – ​​Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp. 

Sot Samiti Evropë Juglindore-Ukrainë, Osmani përfaqëson Kosovën

Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore do të zhvillohet në datat 28 dhe 29 shkurt në Pallatin e Kongreseve, ku do të marrin pjesë 13 shtete të Evropës Juglindore.

Në këtë samit Kosovën do ta do ta përfaqësojë presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski ka mbërritur në Shqipëri.Avioni i presidentit ukrainas, u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë rreth orën 23:00 të mbrëmjes së kësaj të marte.

Zelenski mbrëm u prit nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Në aeroportin e Rinasit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri.

Presidenti Zelenski viziton për herë të parë Tiranën ku do të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën.

“I nderuar të mirëprisja në Tiranë, Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Ky është një moment kyç për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresionit të Rusisë”, deklaron Hasani në një postim në rrjetet sociale.

Zelenksy për herë të parë në Shqipëri, mbahet sot samiti për Ukrainën

Për herë të parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Tiranë. Nga fronti i luftës, Zelensky mbërriti mbrëmjen e djeshme në Shqipëri, për të marrë pjesë në samitin për Ukrainën që mbahet sot.

Shqipëria si një mbështetëse e palëkundur e Ukrainës, zhvillon këtë samit me në fokus luftimet prej dy vitesh me Rusinë.

Fillimisht, Zelensky do të pritet rreth orës 09:00 në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama, ku do të zhvillohet një takim kokë më kokë. Më tej do takohen dy delegacionet që do të firmosin edhe një marrëveshje mes dy vendeve.

Punimet e samitit do të nisin në 11:00 në Pallatin e Kongreseve, ku marrin pjesë edhe liderë të tjerë si, presidentja e Moldavisë, si edhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit, mes tyre Vjosa Osmani. Samiti përmbyllet në orën 13:30 me një konferencë për shtyp mes Zelenskyt dhe Ramës.

Një ditë më pas, 29 shkurt, në Tiranë do të mbahet samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat