​Ja kush merr pjesë në samitin e nesërm në Tiranë, aty nuk figuron Kurti

Aktuale

​Ja kush merr pjesë në samitin e nesërm në Tiranë, aty nuk figuron Kurti

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 22:21
Albin Kurti

Media ka publikuar emrat e pjesëmarrësve që do të jenë pjesë e Samitit rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili mbahet nesër në Tiranë.

Pjesëmarrësit janë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, Borjana Krishto, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Oliver Varhely, komisionar evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e bashkëpunimit rajonal, Daniel Gaceviq, drejtuese në detyrë e CEFTA-s.

Po ashtu, Gert Jan Kopman, drejtori i përgjithshëm për negociata të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Komisioni Evropian dhe Xiaoqing Yu, drejtor - Banka Botërore.

Arritja e liderëve në samit do të bëhet në Pallatin e Kongreseve nga ora 09:30. Fjalët hapëse mbahen nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe komisionari Oliver Varhelyi nga ora 09:45. Fotot familjare do të bëhen nga ora 10:45. Firmosja e marrëveshjes bëhet në orën 12:00, ndërsa konferenca për media nga ora 12:30.

Media ka dërguar pyetje zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu nëse kryeministri Albin Kurti do të merr pjesë në samit, por nuk ka marrë përgjigje, përderisa në mesin e emrave të pjesëmarrësve nuk figuron edhe ai i Kurtit.

Ndryshe, Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e ndihmës financiare.

Bashkimi Evropian do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat