Murati thotë do ta përjetojmë bashkimin kombëtar, Arifi vlerëson se është humbur shansi

Aktuale

Murati thotë do ta përjetojmë bashkimin kombëtar, Arifi vlerëson se është humbur shansi

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 23:53
Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati po vlerëson se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë që të punojnë drejt bashkimit kombëtar.

Murati ka thënë bashkimi mund të realizohet, por vetëm pasi Kosova të ketë zgjidhur konfliktet me Serbinë dhe kur të ketë përfunduar plotësisht procesin e shtetndërtimit.

Për Muratin, kur të jetë koha është çështje e vullnetit të palëve se a duhet që bashkimi të ndodhë nën një Konfederatë, Federatë, Asociacion apo Republikë Unitare.

“Nëse do ta kemi shëndetin e mirë të gjithë ne këtu, së paku bashkimin e Kosovë dhe Shqipërisë do ta përjetojmë. Një shtet i cili mund të jetë, Konfederatë, Federatë, Asociacion apo Republikë Unitare, është çështje e vullnetit. Por sigurisht që kjo nuk zgjidhet kur të duash, kërkon kontekst të caktuar, nuk zgjidhet në konflikt me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe zgjidhet mbi të gjitha duke i zgjidhur konfliktet me Serbinë. Pa e kryer procesin e shtetformimit , plotësimit të sovranitet të saj, kjo nuk mund të realizohet. Por deri në atë kohë ne duhet të jemi serioz. Ne si shqiptarë asnjëherë nuk kemi qenë më mirë që të punojmë edhe drejt bashkimit”, është shprehur ai.

E i një mendimi nuk është profesori, Dritëro Arifi i cili po konsideron se kombi shqiptar e ka humbur mundësinë për t’u bashkuar.

Arifi ka thënë se rrethanat e sotme gjeopolitike nuk e lejojnë bashkimin, por që politikat mund t’i kenë të përbashkëta si ato të sigurisë, arsimit e kulturës.

“Kombi shqiptar e ka humbur mundësinë me u bashku, ajo shans është e humbur, në rrethanat e tilla çfarë është sot gjeopolitika nuk bëhet. Por ne, politikat nuk i kemi të përbashkëta, ky është problem kryesor. Ne duhet t’i kemi politikat e sigurisë të përbashkëta e që janë euroatlantike, politikën e arsimit, kulturën e plot gjëra që mund t’i bëjmë pa na penguar askush”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat