Çka ndikoi që serbët të ndihen më të sigurt në Kosovë?

Aktuale

Çka ndikoi që serbët të ndihen më të sigurt në Kosovë?

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 20:19
Pjesëtar i Policisë së Kosovës, Mitrovicë e Veriut

Në komunat veriore në dhjetëra raste janë djegur vetura për qëllime të ndryshme. Në disa periudha për shkak të kundërshtimit të targave “RKS”, e me raste për padëgjueshmërinë e ndonjë politikani lokal ndaj politikave të Beogradit.

Rasti i fundit për arsye që nuk dihen ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në Leposaviq. Një veturë e bardhë e tipit Toyota me targa të Rashkës rreth orës 04:00 është djegur, nga persona ende të pa identifikuar. Policia ka njoftuar se dëme materiale kishin pësuar edhe dy vetura të tjera që kishin qenë afër kësaj vetureje.

Pikërisht sigurinë e serbëve në Kosovë, programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) e ka përfshirë në një hulumtim të publikuar të mërkurën.

Hulumtimi tregon të dhëna pozitive nga të anketuarit serbë për perceptimin e tyre për sigurinë personale kur janë jashtë shtëpive.

Serbët e anketuar gjatë nëntorit të 2023 tregojnë se krahasuar me muajin prill ndjehen më të sigurt.

Në nëntor 37.6% e serbëve të anketuar kanë deklaruar se ndjehen të sigurt në Kosovë. Ndërkohë gjatë prillit kjo shifër ishte më e ulët, 33.8%.

Për shembull në nëntor të 2022 raport i UNDP-së, tregonte se vetëm 15.3% e serbëve janë deklaruar se ndjehen të sigurt në Kosovë. Ndërkohë para prillit shifra e serbëve që ndjehen të sigurt i afrohet 50%-shit.

Njohësit e fushës së sigurisë mendojnë se ky ndryshim pozitiv vjen edhe për shkak të ndryshimeve në terren, sidomos në pjesën veriore.

“Tregon një rritje të besueshmërisë në institucionet e sigurisë së Kosovës, përgjithësisht është një lëvizje e lirë, edhe kjo e fundit që KFOR-i ka vlerësuar që gjendja e sigurisë në veri është e mirë edhe ka vendosur tërheqjen nga objektet edhe komunave që ka siguru deri tash edhe janë vendosë policia e Kosovës. Mendoj që të gjitha këto tregojnë rritjen e besueshmërisë”, ka deklaruar Nuredin Ibishi, njohës i fushës së sigurisë.

Ibishi thotë se institucionet e Kosovës duhet të kenë edhe fushata informimi për çdo veprim që ndërmarrin, duke e shpjeguar në gjuhën e secilit komunitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat