​Pozitë dhe opozitë: S’duhet të ketë diskutime politike për rregulloren e BQK-së në Bruksel

Aktuale

​Pozitë dhe opozitë: S’duhet të ketë diskutime politike për rregulloren e BQK-së në Bruksel

Më: 1 mars 2024 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka ritheksuar se s’do të ketë diskutime politike për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë. Sipas tyre, e vetmja formë e diskutimit për vendimin për dinarin, mund të jetë për gjetjen e lehtësirave sesi komuniteti serb në Kosovë, të pranojë mjetet nga Serbia. Kategorik kundër diskutimit në Bruksel për rregulloren e BQK-së, janë edhe dy partitë opozitare, PDK dhe AAK.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se vetmja formë e trajtimit të rregullores së BQK-së, është gjetja e lehtësirave për hapjen e llogarive bankare për qytetarët e komitetit serb në Kosovë. Kusari-Lila po ashtu ritheksoi se vazhdimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga BE-ja është e pakuptimtë.

Kusari-Lila: S’do të këtë diskutime politike për çështjen e dinarit

“Çështja e valutës dhe përdorimit të valutës në Kosovë ka pasur diskutimin dhe vendimmarrjen politike kur është miratuar Kushtetuta e Kosovës dhe ajo është bërë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Asnjë diskutim tjetër në raport me politikat me BQK-së apo dispozitat që derivojnë nga kushtetuta e Kosovës për këtë çështje, nuk mund të rikthehen, në kuptimin e ndonjë fleksibiliteti. E vetmja formë e trajnimit të kësaj çështje është lehtësira për ngritjen e formave apo mënyrave të hapjes së llogarive nga komuniteti serb në Kosovë për të pranuar ato mjete. I vetmi diskutim politik nëse konsiderohet i tillë është që ato transfere që vinë kesh në Kosovë, të transferohen përmes llogarive bankare”, theksoi ajo.

Kundër diskutimeve politike për rregulloren e BQK-së në Bruksel, u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se nëse do të ndodhte një gjë e tillë është dëmi më i madh që mundet me iu bë Kosovës.

Tahiri kritikoi sërish kryeministrin Albin Kurti, për mosparaqitje në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që është mbajtur të enjten në Tiranë.

Tahiri: Dëmi më i madh që mundet me iu bërë Kosovës është me diskutu për rregulloren e BQK-së në Bruksel

“Absolutisht jo. Ky është dëmi më i madh që mundet me iu bërë Kosovës, ku çështje të tilla me u ngrit në këtë nivel të diskutimeve. Pra ky është një ujë që shkon vetëm në mulli të Serbisë, ky është një favor që ia bëjmë Serbisë. Kjo ka qenë një çështje jona e brendshme që është dashur të rregullohej në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkesa e tyre ka qenë e qartë, të koordinohemi dhe në anën tjetër, qytetarëve serb në Kosovë mos t’iu paraqitet vështirësi në një periudhë tranzitore...Krijimi i kësaj krize që i shkon përshtati vetëm Vuçiqit, unë nuk po e kuptoj kryeministrin e Kosovës pse duhet me bërë një veprim të tillë. Pse duhet me krijuar një krizë që përfundon në tryezën e tavolinës në Bruksel”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se euro është valuta e vetme në Kosovë dhe se vendimi për ndalimin e dinarit serb në Kosovë nuk do të duhet të jetë pjesë e negociatave të Brukselit.

Tahiri: Dinari nuk duhet të diskutohet në Bruksel në asnjë moment

“Valuta e vetme në Kosovë është euro dhe si e tillë duhet të jetë. Dinari nuk duhet të diskutohet në Bruksel në asnjë moment dhe kjo është brendshme. Kësaj çështje duhet t’i jepet një zgjidhje në Kosovë me koordinim me aleatët ndërkombëtar dhe me argumentimet që i ka qeveria”, theksoi Tahiri.

Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që seanca e radhës e rregullt të mbahet me 7 mars.

Ndërkaq, u bë e ditur që me 5 mars në mbahet një seancë e veçantë për nder të 26- vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat