​Osmani në Antalia: Serbia dorë e zgjatur e Rusisë

Aktuale

​Osmani në Antalia: Serbia dorë e zgjatur e Rusisë

Më: 1 mars 2024 Në ora: 17:50
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se Kosova ka shumë plagë të hapura nga lufta, por pavarësisht kësaj ajo ka zgjedhur rrugën e dialogut she paqes si faktor stabiliteti, teksa ka akuzuar Serbinë se është bërë e dorë e zgjatur e Rusisë për destabilizimin e rajonit.

Ajo këto komente i bëri në Forumin Diplomatik të Antalisë, ku ishte pjesë e panelit kryesor të liderëve “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.

E para e vendit tonë tha se Kosova është shembulli më i mirë i demokracisë në rajon dhe se kanë zgjedhur dialogun si rrugë të vetme paqësore për të ardhmen e saj.

Osmani: Kemi zgjedhur rrugën e dialogut

“Kemi tejkaluar pushtimin shekullor, kemi qenë viktima të gjenocidit për shumë vite, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e ish-Jugosllavisë, kemi qindra gra të përdhunuara dhe shumë plagë të hapura. Përkundër kësaj dhimbjeje, kemi zgjedhur rrugën e dialogut, rrugën paqësore”, tha ajo.

Osmani ka vlerësuar lart ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë në avancimin e diplomacisë në vend.

Osmani: U ndihmua në ndërtimin e procesit të shtetit

“Ne shohim konflikte në botë, ku komuniteti ndërkombëtar kishte intervenuar njëherë, kishte ndihmuar njëherë dhe pastaj ju lënë vetëm në ndërtimin e institucioneve të shtetit. Në 25 vjetët e fundit në të cilat isha e përfshirë në institucione, kam parë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për Kosovën nga marrja e lirisë së saj e deri në procesin e ndërtimit paqësor institucional fillimisht, duke administruar vendin tonë për gati një dekadë dhe duke na ndihmuar. Ne kemi pasur prezencën më të madhe të misionit të OKB-së në historinë e saj në Kosovë, duke na ndihmuar drejt ndërtimit të procesit të shtetit, i cili është i ndryshëm nga ndërtimi i procesit paqësor”, ka thënë Osmani.

Osmani ka akuzuar Serbinë se është shndërruar në dorë të zgjatur të Rusisë, e cila për synim destabilizimin e rajonit.

Osmani: Nuk mund të gjeni ndonjë ndikim rus brenda Kosovës

“Përtej faktit që jemi fqinjë me Serbinë, që fatkeqësisht jo vetëm tash së voni, por për një kohë të gjatë, është bërë një dorë e zgjatur e Rusisë në përpjekje për të destabilizuar rajonin, ju nuk mund të gjeni ndonjë ndikim rus brenda Kosovës, e kjo na ka ndihmuar edhe në luftën tonë ndaj propagandës ruse, e cila është e stërmadhe në rajonin tonë, sepse historikisht Rusia është përpjekur të gjejë terren ku do të mund të zgjeronin konfliktin. Gjithmonë e kanë parë Ballkanin Perëndimor si një prej këtyre tokave pjellore për konflikt. Kemi pasur krizë pas krize në rajon për shkak se interesi rus ka qenë që ta kthejë rajonin tonë në të 90-at kur ka pasur luftëra e konflikte”, tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat