​Deliu-Kodra: Arrestimi i Hasan Krasniqit e zyrtarëve tjerë dëshmojnë qeverisjen korruptive të Kurtit

Aktuale

​Deliu-Kodra: Arrestimi i Hasan Krasniqit e zyrtarëve tjerë dëshmojnë qeverisjen korruptive të Kurtit

Më: 3 mars 2024 Në ora: 14:31
Blerta Deliu-Kodra

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Blerta Deliu-Kodra ka adresuar një sërë kritikash ndaj Qeverisë Kurti për afera dhe skandale korruptive.

Ajo në një konferencë për media ka përmendur rastin e fundit të arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KRU Gjakova, Hasan Krasniqi në Bullgari më 19 shkurt, nën dyshimet për trafikimin e qenieve njerëzore.

Deliu-Kodra ka thënë se arrestimi i Hasan Krasniqit është vetëm njëri nga vargu i gjatë i zyrtarëve të partisë në pushtet që, siç u shpreh ajo, është përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Deliu- Kodra: Zgjedhja e Hasan Krasniqit si kryeshef ishte në kundërshtim me ligjin për ndërmarrje Publike

Fillimisht, zgjedhja e tij si kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike, pasi që i njëjti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale. Besnik Mujeci: asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i arrestuar në Shqipëri me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nagip Krasniqi: Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, tani kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës, i arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesi. Nënshkrim i kontratave të dyshimta në vlerë prej miliona eurove. Faruk Mujka: Ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilin, mediat kanë raportuar se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri. Ridvan Muharremi: Mik dhe bashkëpunëtor i Vetëvendosjes, i cili është i përfshirë në skandalin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i është shkaktuar buxhetit të shtetit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Në fund të kësaj liste, Deliu ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili, sipas saj, është kupola e gjithë këtyre keqpërdorimeve.

Deliu-Kodra: Berishaj dyshohet se përfitoi 600 mijë euro nga filiali i GEN me seli në Beograd

Ambasadori Berishaj, si e dini, është përfshirë në një skandal të madh rajonal financiar, në tregtimin e energjisë elektrike, i cili dyshohet se peshon miliona euro, ndërsa vet ambasadori Berishaj dyshohet se ka përfituar 600 mijë euro nga filiali i kompanisë GEN-i me seli në Beograd”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së është shprehur se këto janë vetëm disa nga rastet, të cilat dëshmojnë për një qeverisje tri vjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, me plot afera dhe skandale korruptive, të cilat kanë dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve.

Deliu-Kodra: Korrupsioni ka shkaktuar mosbesim ndaj qeverisë

Në dritën e këtyre zhvillimeve dhe kësaj qeverisje, e cila ka qenë tejet dëshpëruese, e paaftë dhe, në esencë korruptive, natyrisht edhe raportet ndërkombëtare për vendin tonë nuk kanë se si të jenë as të mira dhe as pozitive. Raporti i fundit i 29 shkurtit nga Freedom House, ka vlerësuar se Kosova është vend “pjesërisht i lirë”. Sipas këtij raporti kredibil amerikan, me bazë në Uashington, institucionet e Kosovës mbesin të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj qeverisë”, është shprehur ajo.

Në fund të konferencës, deputetja Blerta Deliu-Kodra i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të trajtojnë me seriozitetin më të madh të gjitha aferat në të cilat është përfshirë Qeveria Kurti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat