​Perspektiva gjinore në ofrimin e kujdesit për sëmundjet kronike jongjitëse

Aktuale

​Perspektiva gjinore në ofrimin e kujdesit për sëmundjet kronike jongjitëse

Më: 4 mars 2024 Në ora: 12:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Më 4 mars të vitit 2024, ekspertët u takuan për të avokuar për përmirësimin e perspektivës gjinore në kujdesin shëndetësor. Në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Gjakovë, profesionistë nga subjekte të ndryshme publike dhe të shoqërisë civile ngritën vetëdijen, posaçërisht, për sa i përket rëndësisë së perspektivës gjinore në parandalimin dhe menaxhimin e SJN-ve.

Tryeza filloi me fjalim nga Mrika Aliu, specialiste e shëndetit publik me përvojë rajonale, e cila nënvizoi rëndësinë e integrimit të perspektivave gjinore në parandalimin dhe menaxhimin e SJN-ve. Sebahate Pacolli Krasniqi dhe Dr. Sevdie Spahiu nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik prezantuan të dhëna nga viti 2022, duke i vënë në pah trendet specifike gjinore në SJN-të në Kosovë. Mark Kaqinari, Këshilltar i Lartë Ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit, theksoi ndikimin e thellë të aspektit gjinor në shëndetësi dhe të drejtat njerëzore, ndërsa Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, potencoi rëndësinë e garantimit të qasjes së barabartë në kujdes për të gjithë pacientët me SJN.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, z. Hilmi Shala, deklaroi: “Ta shfrytëzojmë këtë si një mundësi për të shqyrtuar ndikimin e thellë që mund të kenë përpjekjet tona të përbashkëta në shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve tona. Së bashku, ne mund të bëjmë shumë për një të ardhme ku integrimi gjinor në kujdesin shëndetësor të mos jetë vetëm një aspiratë, por realitet. Së bashku, ne mund të bëjmë ndryshime në jetët e atyre që janë të prekur nga sëmundjet jo ngjitëse, ashtu që ata të marrin kujdesin dhe vëmendjen që duhet t'u jepet”.

Tryeza e rrumbullakët përfundoi me diskutim mbi hapat veprues për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve), mediave dhe ofruesve të kujdesit spitalor. Pjesëmarrësit e angazhuar në diskutime shkëmbyen ide se si të promovojnë perspektivën gjinore në ofrimin e kujdesit për SJN-të dhe se si të nxisin bashkëpunimin në të gjithë sektorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat