Plagosja e djalit të familjes ‘Capat’ dhe të shtënat te shtëpia e Sekiraqës - detajet si u terrorizua një lagje e tërë

Aktuale

Plagosja e djalit të familjes ‘Capat’ dhe të shtënat te shtëpia e Sekiraqës - detajet si u terrorizua një lagje e tërë

Më: 5 mars 2024 Në ora: 08:20
Pajtim Gashi

Banorët në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë u terrorizuan të hënën qysh nga mëngjesi dhe nuk gjetën gjetësi deri mbrëmë në orët e vona. Djali i familjes së njohur në kryeqytet si ‘Capat’ Pajtim Gashi u rrah dhe u plagos nga dy persona, për motive akoma të panjohura. Njëri nga të dyshuarit është Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, po ashtu emër i njohur jo vetëm për prishtinasit, por edhe për organet e rendit. Dita përfundoi me një breshëri plumbash të zbrazur në afërsi të shtëpisë së tij, nga persona ende të paidentifikuar.

Të dyshuarit në dy rastet ndodhen akoma në arrati, ndërkohë që Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur hetimet.

Gjithçka nisi paraditen e djeshme, në rrugën “Bedri Shala”, ku Pajtim Gashi u përball me dy të dyshuarit, të cilët e sulmuan fizikisht dhe më pas u qëllua me armë zjarri në këmbë. Kjo pamje e frikshme u dëshmua edhe me pamjet e publikuara, ku shihet përleshja që përfundon me krismat e armës.

Shkumbim Sekiraqa dhe miku i tij të përfshirë në këtë incident shihen teksa largohen me dy automjete, djali i Salihut me veturën e tij ‘Audi A7’ të kuqe, ndërsa i dyshuari tjetër me një ‘Pick up’.

Rastin e konfirmoi dje edhe Policia Rajonale në Prishtinë dhe bëri të ditur se hetuesit policorë po ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.

“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”.

Nuk shkuan disa orë nga konfirmimi i rastit dhe media raportoi se djali i Salih Sekiraqës, Shkumbini – rreth 20-vjeçar kishte gisht në plagosjen e Gashit, por që motivi vazhdon të jetë akoma mister.

Ndërkohë, Pajtim Gashi, i cili përfundoi në spital si pasojë e plagëve që pësoi u lirua pasi gjendja e tij shëndetësori u stabilizua.

Familja e tij doli me një reagim, ku u tha se ky sulm “ka ardhur pa asnjë arsye dhe asnjë konflikt të mëhershëm”, duke kërkuar që të “mos njollosen me kriminelët…”

“…Ky sulm ndaj familjes tonë ka ardhur pa asnje arsye dhe asnje konflikt te mehershem. Po ashtu marr parasysh se jemi nje familje e respektuar e kryeqytetit dhe nje familje biznesmenesh te sukseshem ju lutem te mos na njollosni me kriminelet te ciles tentuan ta njollosin reputacionin tone dhe te lendojne nje antare te familjes vetem per te qenë pjese e shkrimeve te mediave sikurske ju. Andaj deshirojme te ju njoftojme se antari i familjes tone eshte ne gjendje te mire shendetesore dhe presim nje reagim te shpejt nga ana e institucioneve te sigurise qe pergjegjesit te sillen para drejtesis dhe te marrin denimin e merituar.” – thuhet në një pjesë të reagimit të tyre.

Pas kaluan rreth 3 orë nga ky reagim, të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në dy lokacione, pikërisht  afër rrugës “Bedri Shala”, në Lagjen e Muhaxherëve, në afërsi të shtëpisë së Salih Sekiraqës.

Një breshëri plumbash u zbraz zbrazur afër shtëpisë së Sekiraqës, çka bëri që Policia t’i bllokojë disa rrugë në atë pjesë dhe lokacioni të rrethohet me shirita.

Lajmin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, me ç’rast njoftoi se nuk ka persona të lënduar nga gjuajtjet me armë zjarri, ndërsa po kërkohen personat e dyshuar.

“Sot rreth orës 21:40, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë dy lokacione afër rrugës Bedri Shala në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar.”

Media publikoi pamjet qysh pas momentit kur u shkrepën armët që terrorizuan këtë lagje dhe intervenimin e disa njësive policore, që qëndruan aty për orë të tëra dhe kryen ekzaminimet e nevojshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat