Shkarkime bordësh e zgjedhje anëtarësh, çfarë vendime mori sot Qeveria

Aktuale

Shkarkime bordësh e zgjedhje anëtarësh, çfarë vendime mori sot Qeveria

Më: 5 mars 2024 Në ora: 14:45 Përditësuar në ora: 15:45 më 05.03.2024
Mbledhja e Qeverisë

50 mijë euro të ndara nga qeveria për financimin e projektit për ujërat e zeza në Ferizaj

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarjen e 50 mijë eurove për financimin e projektit “Trajtimi i Ujërave të Zeza” në Ferizaj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës bëri të ditur marrëveshjen në mes të tri palëve, Kompanisë Rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni”, BERZH-it si dhe Komunës së Ferizajt.

Po ashtu, Murati kërkoi që të miratohet kërkesa e Ministrisë së Ekonomisë.

“Është nënshkruar marrëveshja e huamarrjes si dhe është nënshkruar marrëveshje për zbatimin e projektit në kuadër të tri palëve, Kompania Rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni”, Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe Komuna e Ferizajt,” ka thënë Murati.

Ndërkaq është propozuar që të ndahen 50 mijë euro.

“Në mënyrë që të procedojmë tutje me ratifikimin e marrëveshjes pra, si parakusht edhe të hapen kodet buxhetore, në këtë rast propozojmë që të ndahen 50 mijë euro në mënyrë që të procedojmë edhe ratifikimin e marrëveshjes në fjalë,” përfundoi Murati.

Niman Bardhi zgjidhet anëtar i këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve

Në mbledhjen e 191-të Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit që anëtar i këshillit drejtues të autoritetit kombëtar të kualifikimeve të jetë Niman Bardhi.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka potencuar se propozim-vendimi është hartuar në përputhje me rregulloren e punës së qeverisë dhe është i shoqëruar me të gjitha dokumentacionet.

“Propozojmë që Niman Bardhi, shërbyes civil në Ministrinë e Shëndetësisë, të jetë anëtar i këtij këshilli drejtues. Propozim vendimi për plotësimin e këshillit drejtues të këtij autoriteti kombëtar të kualifikimeve me një anëtar është hartuar në përputhje me rregulloren e punës së Qeverisë dhe është i shoqëruar me të gjithë dokumentacionin e kërkuar pas konsultimit dhe koordinimit mes ministrisë përgjegjësve dhe agjencive dhe zyrave përkatëse”, tha Nagavci.

Shkarkohet bordi i Drejtorëve të “Hidroregjionit Jugor”

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 191-të ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, që e kishte emëruar vetë në gusht të vitit 2022.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka dhënë arsyetimin e saj lidhur me shkarkimin e këtij bordi, duke shtuar se “bordi nuk ka arritur të sigurojë planifikim dhe mbikëqyrje rigoroze të planit”.

“Bazuar në raportin vjetor për vitin 2022 dhe raportin vjetor për 2023, Kompania Rajonale e Ujit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve në planin e biznesit. Përveç devijimeve nga plani i biznesit, gjithashtu është evidentuar edhe moskomunikimi i rregullt me njësinë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike. Në përgjithësi, konsiderohet se bordi nuk ka arritur të sigurojë planifikim dhe mbikëqyrje rigoroze të planit dhe për këto arsye rekomandojmë shkarkimin”, tha Rizvanolli.

Në po këtë mbledhje u emërua edhe Bordi i Përkohshëm me Ismet Vrapçani – kryesues, Dhurata Gutaj – anëtare, Taulant Tanushaj – anëtar dhe Sibel Halkoshatri – anëtare.

Qeveria ia jep në shfrytëzim FSK’së pronat e ish-Aeroportit të Dumoshit

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes që pronat e ish-Aeroportit të Dumoshit t’i jepen në shfrytëzim Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, derisa përmendi pronat në fjalë, tha se janë të një rëndësie të veçantë strategjike për vendosjen e kapaciteteve ushtarake të vendit.

“Pronat që kërkojmë t’i marrim në shfrytëzim janë prona të Republikës së Kosovës, në disa zona kadastrale si Dumosh – Podujevë, Radojevë – Podujevë, Kaqubeg-Podujevë, pra të Aeroportit të Dumoshit dhe Llukar Prishtinë.

Këto prona janë të një rëndësie të veçantë strategjike për vendosjen e kapaciteteve ushtarake të vendit tonë, prandaj kërkoj miratimin nga ana e juaj”, tha Maqedonci.

Kurti para kabinetit qeveritar: Kur Serbia goditi familjen Jashari, e bëri ushtri një popull të tërë

Kryeministri Albin Kurti e ka nisur sot mbledhjen e Qeverisë duke kujtuar të rënët gjatë luftës së fundit.

Ai para kabinetit të tij qeveritar tha se muaji mars shënon rezistencën dhe sakrificën për liri dhe çlirim.

“Jemi në muajin mars, në muajin që shënon rezistencën, e luftës tonë çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 5, 6dhe 7 marsin që shënojnë ditët e Epopesë së Lavdishme të UÇK-së, familjes Jashari me udhëheqjen e kryekomandantit Adem Jashari”.

Atëherë kur Serbia e goditi familjen Jashari mendoi se po e shuan luftën çlirimtare, por në fakt ajo e bëri ushtri një popull të tërë. Rezistenca, sakrifica dhe rënia e familjes Jashari shënon kthesën kyçe në historinë tonë më të re të përpjekjeve tona për çlirim”.

“Gjatë muajit mars Kosova kujton edhe qindra masakra të kryera mbi popullsinë civile të ndërmarra në mënyrë të organizuar nga regjimi i Millosheviqit që udhëhiqte me shtetin e Serbisë aso kohe. Muaji mars shënon fillimin e bombardimeve të trupave të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të Serbisë, dhe kësisoj çlirimin përfundimtar të vendit tonë”.

“Muaji mars është shembull i një ecje të gjatë historike, të një populli që vuajti shumë, rezistoi, qëndroi, sakrifikoi dhe triumfoi për liri e demokraci, për çlirim e pavarësi. Nis me rezistencën dhe heroizmin dhe vazhdon me vuajtjen dhe sakrificën e popullit tonë, dhe përfundon me ndihmën e aleatëve e miqve ndërkombëtarë. Një muaj i hatashëm dhe një muaj i lavdishëm”.

Miratohet Projekt-rregullorja që parasheh themelimin e shtëpive për mbrojtjen e fëmijës pranë Qendrave për Punë Sociale

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-rregulloren për Organizimin dhe Fushëveprimin e Shtëpive për Mbrojtjen e Fëmijës.

Këtë projekt-rregullore e prezantoi zëvendësministri Blerim Sallahu, i cili tha se përmes saj parashihet të themelohen shtëpi për mbrojtjen e fëmijës pranë Qendrave për Punë Sociale në territorin ku funksionojnë gjykatat dhe prokuroritë themelore.

Kjo me qëllim, “ofrimin e të gjitha shërbimeve mbrojtëse ndaj fëmijës përgjatë 24 orëve, shtatë ditë në javë, shërbime gjithpërfshirëse dhe të arritshme që përmbushin nevojat themelore dhe specifike të fëmijës dhe prindit apo kujdestarit, shërbime këshilluese, shërbime të strehimit të përkohshëm të fëmijës.

I cili nuk ka mundësi të kthehet në shtëpinë e tij apo qëndrimi në shtëpinë e tij i nënshtrohet kanosjes ndaj jetës apo shëndetit të tij”, tha Sallahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat