Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz, shkojnë edhe në Kullën e Jasharëve

Aktuale

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz, shkojnë edhe në Kullën e Jasharëve

Më: 6 mars 2024 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 11:06 më 06.03.2024
Krerët e shtetit në Kullën e Jasharëve

Osmani: Adem Jashari e familja e tij personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e shënimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka thënë se kjo epope është e krenarisë së popullit që ka rikthyer dinjitetin e shtetit dhe simbolizon lirinë që e gëzon sot vendi.

Teksa ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e para e vendit ka thënë se kryekomandanti, Adem Jashari dhe gjithë familja e tij personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia.

“Sot jemi këtu së bashku që sërish në emër të popullit të shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin, Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë, epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit tonë, që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë, epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë sot”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka thënë se ka fëmijë që vijnë në Prekaz për vizitë jo vetëm për të mësuar për historinë por për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari.

“Kemi fëmijë që vijnë këtu jo vetëm për të mësuar për historinë por për tu frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, lavdi përjetë komandantit Adem Jasharit dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jashari e të rënëve”, ka vijuar ajo.

Konjufca: Në Prekaz vazhdimisht gjejmë frymëzim se si të mbrohet vendi dhe të ushqehet liria

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me rastin e shënimit të 26 vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” sot ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Para mediave, Konjuca ka thënë se për sa kohë të ketë popull shqiptarë dhe sa të ekzistojë kombi ynë, Prekazi historik do të jetë vend jo vetëm vend i përkuljes por i frymëzimit dhe patriotizmit se si mbrohet vendi dhe si ushqehet liria.

“Nderimet ndaj sakrificës së familjes Jashari. Në gjithë historinë tonë së bashku me luftërat e lavdishme të Skënderbeut dhe Lidhjes së Prizrenit, Sakrifica e Jasharëve dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijën tonë Kombëtare.

Nuk është e rastësishme që gjithë qytetarët shqiptar kudo që jetojnë nga të gjitha anët e botës vijnë dhe përkulen para vorrit të Bacit Shaban, Ademit e Hamzës dhe gjithë familjarëve të cilët u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë. Për sa kohë të ketë popull shqiptarë, kombi ynë për sa të ekzistojë gjithmonë do të jetë një vend jo vetëm që të përkulemi por vazhdimisht gjejmë frymëzim dhe patriotizëm se si të mbrohet vendi dhe se si të ushqehet liria. Lavdi”, ka shtuar Konjufca.

Kurti nga Prekazi: Vetëflijimi e sakrifica e familjes Jashari janë vet epopeja e UÇK-së

Krerët shtetërorë kanë bërë sot homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

E kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se në Prekazin heroik rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë që sot e gëzojmë.

Derisa theksoi se vetëflijimi e sakrifica e familjes Jashari janë vet epopeja e UÇK-së.

“Në Prekazin heroik e historik kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë që e gëzojmë. Të gjithë duhet të vijnë në këtë vend që të mos harrojmë dhe të mos devijojmë drejt së ardhmes. Vetëflijimi, sakrifica e Jasharajve është epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhembje e krenari por edhe besë e shpresë për shtetin e popullin tonë. Me përkulje respekti gjithnjë e përgjithmonë u jemi falënderues e mirënjohës Jasharajve“, tha tutje Kurti.

Krerët e shtetit shkojnë në Kullën e Jasharëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, kanë shkuar për vizitë në oden e Jasharve, ku aty u priten nga Rifat Jashari.

Dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Prekaz për nder të përvjetorit të 26-të të Epopesë së UÇK-së.

Bashkë me ta ishin edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ai i brendshëm Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i Bujqësisë, Faton Peci si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Krerët e shtetit sot bëjnë homazhe në Prekaz

Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

“Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me kryeministrin, Albin Kurti bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Të martën Prekazi u vizitua nga shumë qytetarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare.

Kurse, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne për Epopenë e UÇK-së.

Gjithashtu një manifestim është mbajtur në kazermën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.

Në të gjitha aktivitetet u vlerësua lartë sakrifica e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat