S’ka pritje për rezultate nga takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve

Aktuale

S’ka pritje për rezultate nga takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve

Më: 6 mars 2024 Në ora: 19:46
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi (në të djathtë) dhe Petar Petkoviq (në të majtë) dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi (në mes)

Me paralajmërimin për një takim të radhës mes kryenegociatorëve në Bruksel, emisari i BE-së, Miroslav Lajaçk përmbylli vizitën disa orëshe një ditë më parë në Prishtinë.

Megjithëse, data e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në këtë nivel nuk dihet, në Prishtinë nuk ka pritje për ndonjë rezultat konkret nga takimi i radhës, por as nga të tjerët që mund të organizohen muajve të ardhshëm.

Kjo pasi, ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj thotë se Qeverisë Kurti nuk i sjellë dobi zbatimi i marrëveshjes që vetë e ka negociuar.

“…Për faktin sepse ne çdo ditë e më tepër po e ndjejmë dhe po e shohim situatën që Kosova është duke shkuar drejt zgjedhjeve dhe sigurisht që në këtë situatë që Qeveria e ka sjellë Kosovën buzë greminës, realizimi apo konkretizimi i marrëveshjeve të arritura vetëm sa do t’i faturohej kësaj qeverie dhe këtij estabilishmenti politik në vota nga qytetarët”, ka thënë Ahmetaj.

Gjasat për ndonjë përparim në zbatimin e marrëveshjes bazike, i vlerëson të vogla edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa.

Si arsye ai përmend interesin e Serbisë për ta zvarritur procesin, por edhe mandatin e emisarit Lajçak, që çdo ditë e më shumë po i afrohet fundit.

“Palët tashmë janë strukur në pozicionet e tyre dhe nevojitet një ndryshim dhe një qasje më e gjerë për të shtyrë një implementim të obligacioneve që kanë marrë përsipër më herët palët, por edhe për të mos lejuar problematika të tilla minore siç mund të jetë çështja e dinarit, për t’u përdorur nga Serbia në kuadër të përpjekjes për ta penguar dialogun dhe për ta penguar çdo ecje përpara në trajektoren e saj”, ka thënë Çipa.

Çipa nuk pajtohet me mundësinë që rregullorja e BQK-së të diskutohet në Bruksel, pasi thotë se do të ishte kundërproduktive.

BE-ja insiston që kjo të ndodhë, por deri tani ka hasur në kundërshtim nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa Gjermania, përmes një përgjigje për Dukagjinin, i ka bërë thirrje Qeverisë që të marrë pjesë në çdo takim të dialogut, në të cilën ftohet nga BE-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat