Hoxha: Në krye të sektorit të arsimit është një ministre përçarëse

Aktuale

Hoxha: Në krye të sektorit të arsimit është një ministre përçarëse

Më: 7 mars 2024 Në ora: 12:04
Eliza Hoxha

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se vetëm në dy muajt e fundit rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova. Ajo u shpreh se qeveria aktuale ka injoruar, bullizuar e anashkaluar përfaqësuesit e sektorit të arsimit. Hoxha tha se mungesa e vëmendjes së qeverisë është shqetësuese, duke shtuar se në krye të sektorit të arsimit është një ministre përçarëse.

Teksa uroi të gjithë mësimdhënësit në ditën e mësuesit, Hoxha tha se të njëjtit po ballafaqohen me sfida të shumta.

“Sot në liri e pavarësi mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj ofrimit të kushteve më të mira të punës për mësimdhënësit është shqetësuese. Duke neglizhuar kushtet e tyre të punës, qeveria thellësisht zvogëlon vlerën e tyre të punës të palodhur dhe përkushtimin e tyre. Shpreh revoltën time dhe zhgënjimin tim për mos trajtimin e arsimit si prioritet. Dua të përkujtoj se në mesin e premtimeve të shumta që kishin dhënë qeveria Kurti, ishte një ‘Qeveria e Kurtit do të jetë qeveria e arsimit, për arsimin’. E megjithatë nëse ne e shikojmë në retroskpektivë, ju e injoruat atë e anashkaluat dhe madje e bullizuat përfaqësuesit e tyre”, deklaroi Hoxha.

Sipas saj, asnjë vit nuk kanë filluar mësimin shkollat me gëzim dhe normalitet. Ajo tha se greva e sindikalistëve mësimdhënës, injorimi i kërkesave dhe mungesa e dialogut mbetet shqetësim.

“Nga 160 çerdhe të premtuara, keni rezultuar as 10 për qind të tyre. Rezultati në PISA është më keq se që ishte edhe në vitin 2018 e të tjera e të tjera. Dhe si për ironi sot në liri, mësimdhënësit vetëm në këto dy muaj e fundit rreth 600 sosh janë larguar nga Kosova. Është e dhimbshme të shohësh se si shkollat përballen me resurse të mangëta, programe të vjetra, punëtorë të arsimit të kërcënuar dhe të demotivuar dhe të nënvlerësuar me pasiguri, pa qasje, pa integrim e motivimeve e rezultate të kënaqshme”, u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së shtoi se vëmendja për arsimin duhet të jetë mobilizim kombëtar, institucional e qytetar.

“Shpreh revoltën time që në krye të këtij sektori kemi vendosur një ministre përçarëse dhe jo kompetente. Një ministre që jep shembullin e keq prej shkeljes së Kushtetutës e tutje. Të investosh në arsim është të investosh në të ardhmen tonë, të vlerësosh kontributin e tyre në të kaluarën, është të motivosh ata për më shumë punë dhe përkushtim duke vënë në dritë rol modele të reja për fëmijët e të rinjtë e Kosovës”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat