Tahiri: Eksperimentimi i Kurtit me zgjedhjet në veri e ka kthyer vendin prapa, do ta shohim sa do t’i mbajë flamujt atje

Aktuale

Tahiri: Eksperimentimi i Kurtit me zgjedhjet në veri e ka kthyer vendin prapa, do ta shohim sa do t’i mbajë flamujt atje

Më: 9 mars 2024 Në ora: 12:27
Besnik Tahiri

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka komentuar përmbushjen e 20 përqindëshit të peticionit i cili i hap rrugë zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit.

Tahiri tha se me miratimin e peticionit dje, qeveria ka bërë kthim mbrapa dhe se sipas tij, është një eksperimentim i cili s’duhet t’i bëjë dëm Kosovës.

“Dje është miratuar peticioni, respektivisht zgjedhjet për shkarkimin e kryetarëve që kanë legjitimitet tepër të vogël, sepse me nga 100 vota është problem ta udhëheqësh një komunë, mirëpo është një kthim mbrapa i kësaj qeverie. Është një eksperimentim i cili s’duhet t’i bëjë dëm Kosovës”.

“Në momentin që ka zgjedhje, dhe nëse serbët dalin atje, atëherë aty do të fitojë një kandidat i cili i përfaqëson komunitetin shumicë atje. Të gjitha elementet, të cilat me pompozitet i ka shtyrë përpara kjo qeveri, për gjoja se po e mbron sovranitetin, e ai sovranitet ka qenë në një oborr të një komune, e më pas të një zyre, të cilën rrinte i ngujuar një kryetar pa bërë kurrfarë pune. Shpresoj dhe besoj se s’duhet ta lëmë që Kosova të pësojë”, tha Tahiri.

Tutje, ai tha se me zgjedhjet në veri të Kosovës ka eksperimentuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, për të cilin tha se ka kthyer Kosovën mbrapa.

“Ju them me përgjegjësi të plotë, eksperimentimi i Albin Kurtit me zgjedhjet në veri të Kosovës e ka kthyer Kosovën mbrapa. I ka dëmtuar interesat e Kosovës. I ka vendosur disa flamuj, herë më poshtë e herë më lart, flamuj të shtetit të Kosovës, e që do të shohim se sa do t’i mbajë këta flamuj Kurti në këtë proces”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat