Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizikë të UP-së me protestë kërkojnë rritjen e pagave

Aktuale

Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizikë të UP-së me protestë kërkojnë rritjen e pagave

Më: 11 mars 2024 Në ora: 14:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizikë të Universitetit të Prishtinës kanë hyrë në javën e katërt të grevës, derisa të hënën kanë organizuar edhe një protestë para Rektoratit për të kërkuar rritjen e pagave.

Ata kanë deklaruar se kërkesat e tyre kanë nisur tash e një vit drejt institucioneve përkatëse, por deri tash nuk janë shqyrtuar ato.

Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ka thënë se me kohë i kanë lajmëruar institucionet për protestë, andaj do të vazhdojnë deri në shqyrtimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave.

“Kemi hyrë në javën e katërt të grevës dhe institucioni që e kemi mbrapa nuk po çon peshë dhe dialogu deri më tash është zero. Ju garantoj se ne jemi më të fortë, ju pa neve nuk mund të punoni dhe ne pa ju mund të punojmë”, ka thënë Azemi.

Zeqir Krasniqi, punëtor i sigurimit fizik, ka thënë se me 250 euro nuk po arrin ta sigurojë ushqimin për familjen.

“Unë personalisht varem vetëm prej kësaj page prej 250 eurosh. Në qoftë se edhe një javë nuk dalin pagat, unë do të mbetem në mëshirën e atyre policëve kolegëve mbrapa meje sepse edhe ata me 250 euro nuk mund të mbijetojnë dhe nuk mbetur asnjë person që mbijeton sot me 250 euro”, ka thënë ai.

Në mbështetje të punëtorëve teknikë kanë dalë edhe një pjesë e studentëve të organizatës “Reforma” të cilët në fund të javës me vetiniciativë i kanë pastruar hapësirat e fakulteteve.

Ne e kemi bojkotuar procesin mësimor për arsyeje se Fakulteti Filozofik është i papastër si pasojë e grevës”, ka thënë Lulzim Sopi, aktivist i organizatës “Reforma”.

Po ashtu edhe studenti tjetër Orines Gashi ka kërkuar nga institucionet të gjejnë zgjidhje për pastrimin e hapësirave brenda fakulteteve.

E kemi pasur një aksion simbolik dhe kemi pastruar së bashku me profesorët hapësirat e fakultetit, por prapë se prapë po shkon duke u grumbulluar bërlloku. Sot së bashku me organizatën ‘Reforma’ kemi marrë një aksion dhe e kemi bojkotuar mësimin. Kërkojmë që sa më shpejtë të zgjidhet kjo çështje sepse është pak e vështirë për ne studentët të mbajmë mësim në atë lloj ambienti”, ka thënë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat