“Hajna të pangopur, po ju dalin sheshit”, përplasje në Kuvend - VV-ja lëshon seancën

Aktuale

“Hajna të pangopur, po ju dalin sheshit”, përplasje në Kuvend - VV-ja lëshon seancën

Nga: Bota sot Më: 14 mars 2024 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 11:36 më 14.03.2024
Kuvendi i Kosovës

Tahiri (AAK): Kampion i tenderëve njëburimor është KEK-u

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se “kampion” i kontratave njëburimore është KEK-u.

Gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për kontratat njëburimore, ai tha se janë 30 faqe dokumente A3 të kontratave njëburimore dhe janë në vlerë të rreth 209 milionë eurove.

“Janë 30 faqe dokumente A3 të kontratave njëburimore, duke përfshirë edhe anekse në vlerë të 209 milionë eurove. Po flasim për një shumë të madhe, të cilat janë nënshkruar në kontraktim njëburimor. Nuk ka logjikë, nuk ka shpjegim në qoftë se në raportim që e kemi tregon se janë 781 kontrata që përfshijnë edhe aneks kontrata në kontraktim njëburimor”.

“Me rezolutën që ka propozuar LDK-ja, po kërkojmë që ministrat të raportojnë mbi çfarë baze i kanë nënshkruar këto kontrata njëburimore. Dyshimi është i bazuar, që këtu mundet me pas subjekt të korrupsionit. Kampion i tenderëve njëburimor është KEK-u”, u shpreh Tahiri.

Bajralija-opozitës: Ju e keni hallin te kauzat fallco që fatmirësisht nuk po ju funksionojnë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arta Bajralija, ka kritikuar opozitën për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në Kuvend për të diskutuar rreth, siç u tha, kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti

“Raporti është përfunduar para 10 muajsh dhe është votuar më 27 shkurt të këtij viti që të vijë si pikë e rendit të ditës që të diskutohet. A ka qenë vërtetë e nevojshme thirrja e kësaj seance dhe trajtimi i kësaj pike me seancë të jashtëzakonshme?. Një raport i cili do të vinte gjithsesi në seancë të rregullt!, pyeti Bajralija.

Ajo tutje shtoi duke iu drejtuar opozitës në kuvend me “ju e keni hallin te kauzat fallco që fatmirësisht nuk po ju funksionojnë”.

“Po flasim sot për kontratat e negociuara, dhe ju doni që opinionit publik t’ia transmetoni sikur këto kontrata janë të jashtëligjshme”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në fund të fjalimit të saj përgezoi ministrin Aliu që siç tha, ka vendosur rregull për projekte të reja.

Sipas Tahirit, KEK-u prin me kontrata njëburimore: U nënshkruan 87 në vlerë rreth 100 milionë euro

Sot në Kuvend po diskutohet për kontratat njëburimore.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se janë 220 kontrata njëburimore për vitin 2022, 2023, në vlerë të mbi 153 milionë eurove.

Sipas tij, këto 220 kontrata janë nënshkruar nga shtatë institucione. Ai tha se prin KEK-u.

“Një hulumtim që kemi bërë si grup parlamentar del që vlera totale për vitin 2022, 2023 në shtatë institicuone del mbi 153 milionë euro, janë 220 kontrata. Institucionet që kanë nënshkruar janë KEK-u. Për këto dy vjet, KEK i ka nënshkruar 87 kontrata në vlerë rreth 100 milionë euro. Një burim i qartë i korrupsionit”.

“Ministria e Kulturës, 36 kontrata njëburimore, në vlerë prej 2.4 milionë euro. Ministria e Shëndetësisë pa i përfshirë vakinast, afër 4 milionë euro për 6 kontrata. Ministria e Arsimit, 19 milionë euro për 30 kontrata. Ministria e Punëve të Brendshme, jo kontrata sekrete në të cilat nuk kemi qasje. I ka 21 milionë euro në 20 kontrata për dy vjet. Ministria e Industrisë dhe Ndërmarrësisë, 5 kontrata, rreth 138 mijë euro, dhe Ministria e Infrastrukturës, 32 kontrata, 4.3 milionë euro. Të gjitha këto kapin shumë e rreth 153 milionë eurove”, tha Tahiri gjatë fjalës së tij.

Bajrami: Qeveria Kurti ka nënshkruar 1800 kontrata një burimore, vlera e tyre mbi 240 milionë euro

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se sipas komisionit rregullativ të prokurimit publik, në këtë mandat qeverisës janë nënshkruar mbi 1800 kontrata një burimore në vlerë mbi 240 milionë euro.

Sipas saj këto kontrata janë burim i korrupsionit.

“Sipas komisionit rregullativ të prokurimit publik, në këtë mandat qeverisës janë nënshkruar mbi 1800 kontrata një burimore në vlerë mbi 240 milionë euro. Një e treta e buxhetit shpenzohen përmes prokurimit publik. Kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë  e tregut. Këto kontrata janë burim i korrupsionit. Duke parë me shqetësim këto të dhëna kam kërkuar të dhen nga komisioni i cili na ka dërguar listën dhe të dhënat janë shokuese. Kjo listë nuk është e plotë, janë 240 milionë euro nga kontrata të negociuara. Ngre dyshime për përfitime të pa ligjshme, ne mesin e ofertuesve prin KEK-u”, ka thënë ajo.

Kuvendi diskuton për kontratat një burimore

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë e jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohet Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave një burimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Ndryshe për këtë seancë, ditë më parë kishte vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Arben Gashi shef i deputetëve të LDK-së kishte bërë të ditur se një seancë e jashtëzakonshme do të mbahet këtë javë pas kërkesës së 39 deputetëve të iniciuar nga deputetja Hykmete Bajrami lidhur me tenderët një burimor.

Sipas Gashit, konsiderohen mbi 350 tenderë që janë realizuar me procedurën një burimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat