(Mos) shkarkimi i kryetarëve në veri/ Ferati: Besoj se do të arrihet 50%, plus 1

Aktuale

(Mos) shkarkimi i kryetarëve në veri/ Ferati: Besoj se do të arrihet 50%, plus 1

Më: 14 mars 2024 Në ora: 09:39
Sadri Ferati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që me 21 prill të mbahen votimet për largimin ose jo nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimi erdhi pas verifikimit të listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticion gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Por, nga ish kryetar të KQZ-së, dhe anëtar të saj, ky vendim po konsiderohet si shkelje kushtetuese.

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka deklaruar për media se precedenti që ka vendosur KQZ-ja, ndonëse i dyshuar si anti-kushtetues, mund të çojë në votime të tjera për shkarkim të kryetarëve të komunave në jug.

E ish-ministri i Pushtetit Lokal, nuk ka dashur ta komentojë këtë, por vetëm ka thënë se e rëndësishme është që në atë pjesë do të krijohen institucione.

Ani pse sipas tij edhe këto që janë, janë legjitime por se dalja në zgjedhje ka qenë shumë e ulët.

“Sido që të jetë me udhëzimin administrativ dhe është një pajtueshmëri e institucioneve që të shkohet me këtë procedurë që është aspekt teknik megjithatë. E rëndësishme është që atje po krijohet hapësirë që me iu dhënë e drejta e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës për të krijuar institucione legjitime. Ngase këto ekzistueset janë legale, por e vërteta është që me atë përqindje të qytetarëve që kanë dal në zgjedhje është një legjitimitet fare i varfër”, ka thënë ai.

Ndërsa, kur është pyetur se a pret që më 21 prill të votojnë më shumë se 50 për qind plus 1 e votuesve, gjë që nënkupton se kryetari vetëm me këtë mund të shkarkohet, Ferati ka thënë se mendon që po.

“Unë mendoj që po”, është përgjigjur shkurt ai.

Votimi do të realizohet bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe udhëzimin administrativ për shkarkimin e kryetarëve në veri, të cilin e ka hartuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat