Lajm aspak i mirë nga Specialja për Jakup Krasniqin

Aktuale

Lajm aspak i mirë nga Specialja për Jakup Krasniqin

Më: 15 mars 2024 Në ora: 11:53
Jakup Krasniqi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Jakup Krasniqin.

Në parashtrimet e veta, ZPS-ja ka theksuar se në modifikimin e fundit për kushtet e paraburgimit, Paneli ka konstatuar saktë se ato masa ishin të nevojshme dhe proporcionale me të drejtat e Krasniqit dhe se nuk ia bëjnë të paarsyeshëm vazhdimin e paraburgimit.

“Lidhur me modifikimin e fundit të kushteve të paraburgimit, si çështje paraprake, Paneli e ka diferencuar saktë çështjen e menjëhershme si çështje në lidhje me paraburgimin ose lirimin e përkohshëm dhe jo kushtet e paraburgimit, e para bie nën rregullën 57 dhe e dyta sipas rregullës. 56(6).Në çdo rast, Paneli tashmë ka konstatuar se asnjë nga rrethanat e identifikuara nga Krasniqi në lidhje me kufizimet e vendosura ndaj të akuzuarve të tjerë nuk do të ndikonte materialisht në konsideratat që kanë të bëjnë me paraburgimin e tij. Paneli më tej ka konstatuar se ato masa janë të nevojshme dhe proporcionale dhe kompatibile me të drejtat e Krasniqit dhe se nuk ia bëjnë të paarsyeshëm vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së.

Si rrjedhojë e këtyre arsyetimeve të përmendura, ZPS-ja ka potencuar se trupi gjykues duhet ta vazhdojë paraburgimin për Krasniqin.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat