​Votimi për largimin e kryetarëve shqiptarë, ja çka thonë serbët e veriut

Aktuale

​Votimi për largimin e kryetarëve shqiptarë, ja çka thonë serbët e veriut

Më: 17 mars 2024 Në ora: 10:41
Pamje nga veriu i Kosovës

Qytetarët serbë të veriut të Kosovës janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në votimin për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore që do të mbahet më 21 prill.

Ata gjatë një bashkëbisedimi për Kp, kanë thënë se vendimi i KQZ-së për organizimin e votimit është i drejtë, ndërsa u shprehën të bindur se procesi do të jetë i suksesshëm, sepse pjesa më e madhe e tyre do të dalin në këto votime.

Mirosllav Llaketiq, pensionist nga veriu i Mitrovicës, tha se ka qenë gabim bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e qytetarëve të veriut dhe se tani ata janë vetëdijesuar.

Llaketiq: Ky proces është dashur të kryhet më herët

‘Natyrisht KQZ-ja ka vendosur drejt, është dashur edhe më herët, mirëpo sipas meje ka qenë gabim kur janë bojkotuar zgjedhjet e para nga ana e qytetarëve të veriut të Mitrovicës. Është dashur sa më herët kjo të kryhet sepse qytetarët nuk kanë pasur kurrfarë të drejtash, pasi kanë përfunduar zgjedhjet dhe pasi ka përfunduar ky proces… Besoj se pjesa më e madhe e qytetarëve do të dalë në këto zgjedhje, sepse janë vetëdijësuar pak, unë mendoj kështu’, ka thënë Llaketiq.

Gordana Vllajiq, qytetare nga veriu i Mitrovicës, bëri të ditur se do të votojë më 21 prill për largimin e kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Sipas saj, suksesi i këtij procesi varet nga marrëveshja në mes të politikanëve të Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka përmendur emra konkretë.

Vllajiq: Nëse janë marrë vesh, atëherë procesi do të jetë i suksesshëm

‘Po, do të dalë sigurisht (në votime)… Nëse janë marrë vesh që ky proces të ketë sukses, atëherë do të jetë i suksesshëm me siguri.. Po ata të cilët janë në situatë për të arritur marrëveshje, jo unë dhe ju me siguri’, u shpreh ajo.

Edhe Savo Dragoviq, një qytetar tjetër nga kjo pjesë e Mitrovicës, tha se do të dëshironte shumë që në këto votime të dalin më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote, në mënyrë që ky proces të jetë i suksesshëm.

Dragoviq: Kisha dashur që procesi të jetë i suksesshëm

‘Do të dalë në votime me siguri, se çka do të vendos populli për të tjetër nuk mund të flasë… Do të kisha dashur (që ky proces) të jetë i suksesshëm’, theksoi Dragoviq.

Në anën tjetër, analisti serb i cili jeton në veri, Branisllav Kërstiq, vendimin për mbajtjen e votimit e ka quajtur ofertë pozitive për komunitetin serb të veriut.

Sipas tij, mundësia e votimit përmes postës është faktor shumë i rëndësishëm për serbët, sepse duke pasur parasysh largimin e një numri të konsiderueshëm të tyre nga Kosova, nuk do të arrihej numri i nevojshëm 50 përqind plus një votë, sidomos në Mitrovicën Veriore dhe Zubin Potok.

Ai potencoi se pjesa më e madhe e qytetarëve serbë në veri, tashmë e kanë kuptuar realitetin e ri në Kosovë dhe do të dalin në votimet e 21 prillit.

Kërstiq: Pa votim përmes postës, serbët s’do ta merrnin Mitrovicën Veriore dhe Zubin Potokun

‘Është dorë e hapur dhe një ofertë pozitive për komunitetin serb nga veriu i vendit… Serbët kanë të drejtë të votojnë edhe me postë, që do të thotë ata të cilët janë jashtë shtetit, diku në Serbi, shtete perëndimore, e kanë edhe këtë mundësi… Jemi në një situatë kur serbët janë duke u larguar nga veriu i vendit… Sikur KQZ-ja nuk do të kishte marrë vendim për mundësinë e votimit përmes postës, jam i sigurt se ne në Mitrovicën Veriore dhe Zubin Potok nuk do ta kishim numrin e nevojshëm 50 përqind plus një votë… Kemi një numër serioz të qytetarëve të cilët janë tepër të zgjuar dhe janë duke kuptuar realitetin e shtetit të Kosovës dhe flasë për një numër që është më i lartë se 50 përqind’, sqaroi Kërstiq.

Ndryshe, për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit do të duhen 50 përqind plus një votë e qytetarëve dhe në rast të plotësimit të këtij numri, do të konsiderohet se kryetarët e komunave janë larguar nga funksioni i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat