Gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Specialja merr një vendim të rëndësishëm

Aktuale

Gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Specialja merr një vendim të rëndësishëm

Më: 18 mars 2024 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 10:19 më 18.03.2024
Pamje nga seanca

Anulohen dy seanca në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të anulohen seancat e datës 21 mars dhe 22 gusht 2024.

Sipas trupit gjykues ky vendim është marrë për shkak se ka kontradikta në mes datave.

Ndryshe, me fillim të seancës së sotme gjyqësore, gjyqtari Smith III tha se do të fillojë dëshminë dëshmitari i 49-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04811.

Vlen të theksohet se sot e pranishme në seancën e gjyqit ishte edhe bashkmbrojtësja e re e ekipit të Thacit, Nina Tavakoli për të cilën u tha se do të parashtrojë pyetje për dëshmitarin.

Po ashtu, ajo pati një çështje për të parashtruar mirëpo për këtë gjë kërkoi sesion privat gjë e cila u miratua nga trupi gjykues.

Në fillim të seancës, Smith njoftoi se Thaçi dhe Krasniqi janë të pranishëm në sallë përmes video-lidhjes ndërsa dy të akuzuarit e tjerë janë fizikisht aty.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.

Ndyshe Dhomat e Specializuara me 28 shkurt ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari i 48-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin 01140 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar u mor në pyetje nga ZPS-ja, mbrojtja e të akuzuarve, mbrojtja e viktimave dhe trupi gjykues nën masa mbrojtëse si dhe në sesion privat për publikun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat