​1 vit nga marrëveshja e Ohrit, s’ka shpresë për zbatim

Aktuale

​1 vit nga marrëveshja e Ohrit, s’ka shpresë për zbatim

Më: 18 mars 2024 Në ora: 16:48
Takimi i Ohrit

Njëvjetori i marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ka gjetur palët me qëndrime diametralisht të kundërta për zbatimin e saj, thonë njohësit e procesit të dialogut. Sipas tyre, dialogu aktualisht ka stagnuar për shkak të menaxhimit të krizave, në vend që të kishte fokusim në përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksit të Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Të njëjtit, progres nuk presin as në takimin e nesërm në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel.

Profesori universitar, njohës i procesit të dialogut, Arben Fetoshi, thotë për KosovaPress se Kosova dhe as Serbia nuk kanë vullnet për zbatimin e ujdive të dakorduara.

Sipas tij, pajtim për sekuencim të zbatimit të aneksit të Ohrit s’pritet të ketë as në takimin Bislimi-Petkoviq në Bruksel, derisa temë kryesore do të jetë rregullorja e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Fetoshi: Në njëvjetorin e marrëveshjes kemi bllokim të zbatimit të saj

“Në njëvjetorin e marrëveshjes fatkeqësisht duhet të konstatojmë se kemi bllokim të zbatimit të marrëveshjes. Ky bllokim vjen si pasojë e një periudhë të gjatë të zëvendësimit me menaxhimin e krizave në vend që të fokusoheshim me përmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja që do të qonte në rrugën drejt normalizimit të raporteve tona me Serbinë. Në takimin e nesërm nuk pres zhbllokim të procesit të dialogut për aq kohë sa tema kryesore që do të provojë Serbia të përdorë në këtë kuadër do të jetë çështja e dinarit, përkatësisht rregullorja e BQK-së. Meqenëse qeveria jonë nuk ka dhënë shenja të reflektimit karshi kërkesave të partnerëve ndërkombëtar sa i përket suspendimit, shtyrjes ose një zgjidhje të dakorduar për çështjen e dinarit mendoj se nuk mund të bëhet fjalë për një sukses të mëtejshëm sa i përket sekuencimit apo hapave të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, thotë ai.

Ndërkaq, politologu, Artan Muhaxhiri, thotë se Serbia me rastin e sulmit të Banjskës dhe Kosova me mosthemelimin e Asociacionit kanë dëshmuar që nuk janë të interesuar që të ketë përparim në dialog.

Muhaxhiri: Mungesa e progresit për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit është humbje historike

“Për fat të keq i gjithë potenciali që ka qenë i ndërlidhur me këtë marrëveshje nuk është shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme, përkundrazi ka pasur ngadalësime, bllokada të cilat vetëm sa e kanë larguar Kosovën dhe Serbinë nga rruga evropiane. Ka pasur mundësi që gjatë kësaj kohe të bëhen hapa shumë më kualitativ dhe progresiv, por liderët e Kosovës dhe të Serbisë nuk e kanë pasur vullnetin dhe as gëzimin që të bëjnë këtë, prandaj sot jemi në pozitë shumë më të keqe sesa që kemi qenë pas nënshkrimit të asaj marrëveshje dhe që do të duhej të ishte e kundërta. Nuk ka pasur progres, ka pasur bllokada dhe kjo është esenca e humbjes së këtij rasti historik...Serbia me rastin e Banjskës e ka dëshmuar që nuk është e interesuar që të ketë përparim me marrëveshje, por edhe Kosova me mosrealizimin e Asociacionit po ndikon negativisht në progres. Është evidente që të dyja palët nuk kanë vullnet, nuk kanë gatishmëri dhe nuk pritet asgjë e rëndësishme në takimin e nesërm”, deklaron Muhaxhiri.

Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi sot Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, derisa kërkoi trajtim të barabartë nga Bashkimi Evropian në dialog.

Në njëvjetorin e marrëveshjes së Ohrit, ka folur edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili ka paralajmëruar presion ndaj Kosovës dhe Serbisë për të ecur përpara në zbatimin e marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 18 mars 2023 për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në Ohër të Maqedonisë së Veriut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat