Deklarojnë pasurinë 2 mijë e 100 mjekë dhe profesorë, mbesin edhe 20 të padeklaruar

Aktuale

Deklarojnë pasurinë 2 mijë e 100 mjekë dhe profesorë, mbesin edhe 20 të padeklaruar

Më: 18 mars 2024 Në ora: 17:42
Yll Buleshkaj 

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj ka thënë se 20 persona nuk e kanë kryer deklarimin e pasurisë të paraparë sipas ligjit në Kosovë.

Ai ka thënë se deklarimin e pasurisë deri më tani e kanë bërë profesorët dhe mjekët, ku sipas tij, 2 mijë e 100 zyrtarë e kanë kryer këtë proces të deklarimeve të pasurisë.

“Me këtë fazë edhe e përmbyllim fazën e deklarimeve grupeve të reja që kanë bërë deklarimet e pasurisë me profesorët e universiteteve publike dhe me mjekët. Listës prej 10 mijë zyrtarëve publik janë shtuar tashmë më edhe mbi 2 mijë e 100 zyrtarë tjerë të cilët e kanë kryer procesin e deklarimeve të pasurisë gjatë muajit të kaluar që ka përfunduar me 12 mars, kurse rreth 20 të cilët nuk e kanë kryer deklarimin e pasurisë ku jemi në proces të verifikimit të këtyre listave”, ka deklaruar Buleshkaj.

Tutje, Buleshkaj tha se ka pasur deri në 700 telefonata, ku nga këto telefonata kanë pasur pyetje specifike.

Më tej, ai tha se ka ndarë edhe udhëzues të cilët kanë qenë në forma të shkruara dhe në forma vizuale, se si të kryhet procesi.

“Edhe këtë vit kemi pasur mjaft shumë telefonata dhe email me të cilët është kërkuar shpjegimi se si kryhet procesi, ne jemi munduar të gjithëve të iu përgjigjemi aq shpejt sa kemi arritur. Por ka pasur edhe një numër të madh të telefonatave shumë here ka shkaktuar edhe stres te këto dy kategori për shkak se që nuk ka arritur të iu përgjigjemi të gjithëve të njëjtën kohë sepse linjat janë zënë. Ka pasur ditë që deri në 700 telefonata kanë pranuar nga agjencia të cilët kanë pasur pyetje specifike, kemi ndarë një udhëzues i cili ka qenë në forma të shkruara dhe po ashtu edhe një udhëzues në formë vizuale se si kryhet”, tha Buleshkaj.

Buleshkaj theksoi se paqartësitë e profesorëve e mjekëve kanë qenë kryesisht të hyrat në pasuritë e pabujshme dhe mënyra se si bëhet deklarimi i tyre.

“Paqartësitë e profesorëve dhe mjekëve kanë qenë tek të hyrat kryesisht si dhe te pasuritë ë pabujshme se si duhet të bëhet deklarimi i tyre. Ka shumë pasuri të pabujshme të cilat nuk janë regjistruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, si institucion ku duhet të bëhet regjistrimi i tyre. Mjekë dhe profesorë janë më shumë se 2 mijë e 100”, theksoi Buleshkaj.

Ndryshe, Buleshkaj tha se ata që nuk e kanë përfunduar procesin e deklarimit të pasurisë, do t’u shqiptohet gjoba në vlerë prej 30 për qind të pagës mujore derisa tha se rastet e tilla janë të obliguar t’i dërgojnë edhe në Prokurori.

“Ka mundësi ka pas ndonjë gabim ndonjëherë në email të zyrtarit të cilat tash jemi në proces të verifikimit final dhe tani të dalim me listën finale të atyre që e kanë kryer këtë obligim dhe sipas ligjit 30 për qind të pagës mandatorë për vonesë, nëse vonesa shkon mbi 14 ditë, atëherë rastet e tilla do të jemi të obliguar ti dërgojmë edhe në prokurori. Këtë vit menjëherë pësojnë gjobat. Vendimin për gjobë u shqiptohet nga Agjencia po ashtu e marrin edhe faturën, maksimumi i faturës është 500 euro apo 30 për qind e pagës, nëse e paguajnë brenda 15 ditëve e paguajnë gjysmën e gjobës”, theksoi Buleshkaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat