Gashi: Ngjarjet e marsit janë organizuar nga Serbia

Aktuale

Gashi: Ngjarjet e marsit janë organizuar nga Serbia

Më: 18 mars 2024 Në ora: 18:44
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se trazirat e marsit janë organizuar nga Serbia, ku tre fëmijë kishin humbur jetën në lumin Ibër, në Mitrovicë.

Në emisionin “Five”, ku është diskutuar për 20 vjetorin e ngjarjes, përfaqësuesi mbrojtës i familjeve, avokati Tomë Gashi e ka akuzuar prokurorin e rastit për përmbyllje të shpejtë të “vrasjes së fëmijëve”.

“Mendoj që këtë e ka organizuar Serbia, pse? Sepse këtu ka qenë një bazament që është përdorur për Asociacionin dhe ka qenë bazamenti tjetër që është futur në pakon e Ahtisaarit… ka qenë ideja e Serbisë që ta shfrytëzojë, ta keqpërdorë vrasjen e këtyre tre fëmijëve të cilën prokurori nuk e ka përmbyllur si vrasje, ai ka thënë se ka qenë një aksident dhe që nuk ka prova konkrete që këta kanë qenë të ndjekur nga një qen… dhe nga serbët… ka gjetur kontradikta në deklaratën e fëmijës. Prokurori është marrë gjithmonë në aspektin negativ që të mos gjetet dhe mos të konfirmohet deklarata  e Fitimit. Mirëpo nëse ky rast do të hetohej në mënyrë të duhur, nuk do të duhej të mbyllej kaq shpejt.  I janë ofruar shuma monetare familjarëve që t’i marrin në kompensim në kuptimin që ky rast të mbetet në heshtje, por nuk kanë pranuar sepse nuk mund të shitet gjaku i fëmijëve me para, edhe UNMIK-u e ka luajtur lojën për ta ruajtur fytyrën e vet”, ka thënë Gashi.

Ai beson se është keqpërdorur vrasja e fëmijëve, Florent Veseli, Avni Veseli, Egzon Deliu.

“Rastin e ka përshkruar vëllai i njëri prej tyre që ka qenë me të. Si përfaqësues i familjeve, unë kam paraqitur një kërkesë për hapjen e hetimeve dhe e kam dërguar deri te sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë dhe i kam njoftuar të gjithë faktorët…  Ka qenë frika e UNMIK-ut pas ngjarjeve pas vrasjes së këtyre tre fëmijëve dhe ajo çfarë është shumë interesant dhe negative është se prokurori e ka mbyllur rastin më katër prill 2004 ndërsa trupi i pajetë i njërit prej fëmijëve është gjetur në qershor, dy muaj më vonë”, shtoi më tej ai.

Në anën tjetër, Rrahman Sylejmani, ish kolonel i Policisë së Kosovës, thotë se kësaj ngjarjeje i është dhënë karakter ndëretnik.

“Me vetë faktin që i jepet një ngjarjeje karakter ndëretnik, si rrufeja shpërndahet gjithandej. Këto protesta që janë organizuar, me një individ të vetëm qoftë i porositur, do të mund të eskalohej. Ata i kanë parë gjithë komunitetin serb që qëndron pas tyre”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat