Çifti i moshuar vdes nga asfiksimi nga tymi

Aktuale

Çifti i moshuar vdes nga asfiksimi nga tymi

Më: 18 mars 2024 Në ora: 21:04
Sedki Zeka

Një çift i moshuar ditën e djeshme ndërroi jetë si shkak i asfiksimit nga tymi në Pataqan të Poshtëm në Rahovec. Eksperti i emergjencave ka një thirrje për instuticionet e shtetit.

U gjetën pa shenja jete në shtëpinë e tyre.

H.Z e Z.Z nga Pataqani i Poshtëm i Rahovecit dyshohet se vdiqën nga asfiksimi nga tymi.

I afërmi i çiftit të moshuar, Sedki Zeka i cili gjatë së dielës po punonte në fshat, rrëfen se si u kuptua për vdekjen e tyre.

“I ka thirr çika e vet, nuk e kanë çelë telefonin. Atëherë ni kojshi aty ka ardhë i ka këqyrë, kur janë ardhë e kanë pa që dera mbyllë, kanë hi për dritare, kur kanë hi e kanë pa që është kallë, tym, edhe atëherë u konfirmu që diçka ka këtu. E kemi lajmëru policinë, kanë ardhë policia edhe ma nuk na kanë leju me hy brenda”, tha kushëriri i tyre, Sedki Zeka.

E nga Policia e Kosovës, thanë se nga hetimet e para të zhvilluara, ekzaminimet e kryera në vendin e ngjarjes si dhe dëshmive tjera të siguruara, dyshohet se deri tek vdekja e viktimave ka ardhur si pasojë e asfiksimit nga tymi, pasi kishte marr flakë një kolltuk, dyshohet nga një prizë elektrike.

Por ky nuk është rasti i vetëm që përfundon me fatalitet si pasojë e zjarrit nga pajisjet elektrike.

“Rastet e zjarreve nëpër ndërtesa qoftë nëpër ndërtesa kolektive apo në shtëpi private kohët e fundit janë shtuar në Kosovë. Këto mund të vijnë qoftë nga mbushësit e telefonave, apo nga prizmat e ndryshëm, qoftë nga nxemjet e ndryshme gjatë dimrit apo edhe nga kondicionerët e ndryshëm. Pra çdo gjë që ka të bëjë me këto faktorë duhet që qytetarët të jenë të kujdesshëm që t’i kontrollojnë”, u shpreh eksperti i Emergjencave, Tahir Ahmeti.

Andaj Ahmeti ka një thirrje edhe për institucionet e shtetit.

“Instituticonet duhet të bëjnë fushata më vetëdijësuese për qytetarët e vendit në mënyrë që ata të dinë për rrezikun nga zjarri, por edhe për masat mbrojtëse në rast se kemi ndonjë zjarr”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka theksuar që shkaktari zyrtar i vdekjes do të vërtetohet vetëm pas ekzaminimit mjeko ligjor, gjë e cila është urdhëruar nga prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar edhe rast ‘hetim i vdekjes’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat