Në fund të marsit ZRrE vendos për tarifat e reja, mund të ketë shtrenjtim

Aktuale

Në fund të marsit ZRrE vendos për tarifat e reja, mund të ketë shtrenjtim

Më: 19 mars 2024 Në ora: 20:12
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) (Ilustrim)

Nga 1 prilli i këtij viti e deri më 31 mars të 2025, Korporata Energjetike e Kosovës, ka vendosur që energjinë elektrike të e shes me çmim më të lartë tek KESCO, KEDS e KOSST.

Aktualisht çmimi i një megavati të energjisë që KESCO e blen nga KEK-u është 29.50 euro, por nga muaji tjetër do të jetë 31.50 euro për megavat.

Deri, në 39.10 euro do të jetë çmimi për KEDS dhe KOSST, derisa kjo rritje nga KEK, në raportin dërguar ZRRE-së, është arsyetuar me inflacion.

“Duke marrë në konsideratë faktin që përgjatë periudhës 2021 deri në 2023 tarifat e KOSTT-it për OS dhe OT janë rritur në vazhdimësi dhe kjo rritje ka prodhuar efekt direkt në koston e prodhimit të energjisë elektrike për KEK-un dhe në anën tjetër rritja e inflacionit, e cila ka prodhuar efektin e rritjes së çmimeve për të gjitha produktet dhe shërbimet që ndikojnë në koston e prodhimit të energjisë, bazuar në analizat e brendshme të KEK-ut, është vlerësuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike për të mbuluar të gjitha kostot e prodhimit është e pashmangshme”, kanë thënë nga KEK-u.

Kjo rritje, sipas ekspertit të fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, do të ketë ndikim direkt në faturat për qytetarët, pavarësisht se çmimi për import të energjisë ka rënë kohën e fundit.

“Faturat që qytetarët e Republikës së Kosovës i paguajnë janë reflektim i gjithë zingjirit të reflektimit me energjinë elektrike, pra  kostot e gjithë zinxhirin e furnizimit, çka d.m.th. kjo, në rast se kemi rritje të kostos nga prodhimi atëherë ajo reflektohet drejtpërdrejtë në tarifat të cila i paguajnë qytetarët e Kosovës, e njëjta vlen edhe në rast se kemi rritje edhe nga KOSST, për shkak të transmisionit, por edhe nga KEDS-i”, ka thënë Haxhimusa.

Por, nëse ky vendim i KEK-ut do të ndikojë që të ketë shtrenjtim të faturave, do të kuptohet së shpejti kur ZRRE të marr një vendim, që e ka paralajmëruar se do të ndodh deri në fund të marsit.

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar vlerësimin fillestar lidhur me te Hyrat e Lejuara Maksimale te ndërmarrjeve te rregulluara. Aktualisht, ZRRE është ne proces te analizimit dhe shqyrtimit te komenteve te dërguara nga palët e interesuara, pas shqyrtimit dhe analizimit te tyre, planifikohet qe kah fundi i  këtij muaji te merret vendimi për te hyra maksimale. Ndërsa propozimi për tarifa behet nga ndërmarrjet e rregulluara konform te hyrave te aprovuara, vendimi për te cilat pritet te merret ne fund te muajit mars ose ne fillim te muajit prill. Sa i përket pritshmërisë se sa do te jenë te hyrat e lejuara maksimale, deri në këtë fazë ZRRE ka vetëm vlerësimet fillestare të cilat janë të publikuara, ndërsa vlerësimet përfundimtare për të Hyrat e Lejuara Maksimale janë në proces të shqyrtimit dhe pas këtij vlerësimi Raportet përfundimtare do të publikohen. Palët të Cilat kanë dorëzuar komentet e të cilat janë të publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së janë: KEK, KOSTT, KEDS, KESCO dhe INDEP”, kanë thënë nga ZRrE.

Në komentet për të hyrat maksimale të lejuara, as KEDS, KESCO e KOSTT, nuk kanë përmendur tarifat e energjisë.

Për herë të fundit, në prill të vitit të kaluar, çmimi i rrymës u shtrenjtua për rreth 15 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat