Mosgjykimi i Zharkut që rezultoi me sanksionim nga SHBA-ja po vlerësohet si mesazh për sistemin gjyqësor në vend

Aktuale

Mosgjykimi i Zharkut që rezultoi me sanksionim nga SHBA-ja po vlerësohet si mesazh për sistemin gjyqësor në vend

Më: 19 mars 2024 Në ora: 20:57
Xhabir Zharku

E sanksionimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku po konsiderohet si një goditje për sistemin gjyqësor të vendit.

Njohës të fushës vlerësojnë se vendime të tilla kur SHBA-të sanksionojnë persona të cilët janë të liruar nga akuzat, nuk janë mesazh i mirë për sistemin gjyqësor.

Që nga e hëna, ish-kryetari i Kaçanikut Xhabir Zharku do të jetë në listën e të sanksionuarve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se deri në vendosjen e listës së zezë për Zharkun, erdhi për shkak të akteve korruptive të tij.

E për vepra të tilla, ndaj tij kishte pasur edhe një procedurë gjyqësore por që Gjykata e Apelit pas disa vitesh e kishte liruar atë nga të gjitha akuzat.

E Gëzim Shala nga Instituti Kosovar për Drejtësi, thotë se kjo është një goditje për sistemin gjyqësor të vendit.

“Është lajm i mirë kjo mënyrë e veprimit për faktin se e kemi parasysh që sundimi i ligjit në Ballkanin perëndimor nuk është mjaftueshëm i etabluar dhe për këtë ka një shpresë edhe jashtë shteteve të Ballkanit se do të reagojnë në rastet kur vet shtetet nuk kanë vullnet politik për të adresuar situata të tilla dhe në rastin konkret shihet se përçohet një mesazh i tillë”, tha Gëzim Shala nga IKD.

Sipas tij, vendime të tilla kur SHBA-të sanksionojnë persona të cilët janë të liruar nga akuzat, nuk është mesazh i mirë për sistemin gjyqësor.

“Definitisht duhet punuar në këtë drejtim se duhet të mbahen personat përgjegjës në sistemin gjyqësor por në rastet kur sistemi gjyqësor nuk arrin mjaftueshëm ta bëjë punën e vetë, atëherë është shpresë e mirë që sanksionet e tilla vijnë nga institucionet jashtë Kosovës”, u shpreh Shala.

E ish zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha vlerëson se këto sanksione nuk ndikojnë në raportet mes dy vendeve, për shkak se bëhen në formë individuale.

“Lista e zezë amerikane nuk përpilohet për shkak të raporteve por përfshin individë që sipas SHBA-së janë të përfshirë në afera korruptive dhe kjo meqenëse nuk shoqërohet me një dosje fizike është problematike të zhvillohet hetim zyrtar ndaj një personi të tillë por mbetet çështje e ndërmarrjes së veprimeve preliminare nëse ka vend për hetim”, tha zëvendësminsitri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Televizioni ka kërkuar gjatë ditës nga Qeveria për të parë se a kanë ndonjë listë të emrave që janë të sanksionuar nga shteti amerikan, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat