Bajrami: Në Qeverinë Kurti janë dhënë kontrata njëburimore për blerjen e ushqimit të qenve

Aktuale

Bajrami: Në Qeverinë Kurti janë dhënë kontrata njëburimore për blerjen e ushqimit të qenve

Më: 19 mars 2024 Në ora: 22:05
Hykmete Bajrami

Lidhja Demokratike e Kosovës po e kritikon Qeverinë Kurti se ka dhënë 781 kontrata njëburimore, duke thënë se këto kontrata janë bërë me njerëz të afërt me partinë në pushtet.

Në lidhje me këtë, ish-ministrja e Tregtisë, tash deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se në këto tri vjet janë dhënë 209 milionë euro kontrata njëburimore.

“Nëse e shohim MAShT-in, i ka 41 kontrata. Prej këtyre vetëm 12 kanë qenë aneks kontrata, në shumë prej 539 mijë euro, ndërsa 29 janë kontrata të reja me shumë 9.6 milionë euro”.

“E kemi ministrinë e Drejtësisë e cila është me 4 milionë euro kontrata njëburimore, ku vetëm një është aneks kontratë dhe ajo është në vlerë 141 euro”, tha ajo në Rubikon.

Bajrami tha se ministria e Mbrojtjes ka dhënë kontratë njëburimore edhe për blerjen e ushqimit të qenve, për të cilën tha se nuk mund të justifikohet.

“Ministria e Mbrojtjes me 8 milionë euro kontrata njëburimore. Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i ka analizuar të gjitha kontratat dhe ka kontratë njëburimore për ushqim të qenve. Në qoftë se flasim për kontratë njëburimore për blerjen e armëve, ndoshta deri diku edhe mund të justifikohet, por kemi kontrata edhe të formave të tilla”, tha Bajrami.

Më tej, ajo përmendi edhe ministrinë e Infrastrukturës, për të cilën tha se ka dhënë 54 kontrata njëburimore në vlerë rreth 10 milionë euro, kurse vetëm dy janë aneks kontrata në vlerë prej 183 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat