Lushaku-Sadriu i reagon Kurtit për deklaratat rreth arsimit

Aktuale

Lushaku-Sadriu i reagon Kurtit për deklaratat rreth arsimit

Më: 22 mars 2024 Në ora: 14:01
Jehona Lushaku-Sadriu

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, njëherit Drejtoreshë për Arsim, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të kryeministrit Albin Kurti, lidhur me gjendjen në arsim, duke thënë se arsimi me kryeministrin Albin Kurti është “dorëzim dhe dështim”.

Duke folur për renditjen e Kosovës në testin PISA dhe se se çka duhet të bëhet që në testin tjetër të dilet më mirë, Kurti përmendi raportin mes mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, ku tha se ka shumë pakënaqësi.

“Duhet të fillojmë të përgatitemi për një dialog disavjeçar mësimdhënës-prind. Më besoni prej letrave që i marr, shkresave të panumërta që më duhet t’i lexoj edhe vetë, shumë dominojnë të tilla që në një mënyrë ose tjetër përfundojnë tek halli i madh me të cilin janë mësimdhënësit me prindërit dhe halli po aq i madh që janë prindërit me mësimdhënësit. Ka shumë paknaqësi në këtë raport. Ka shumë pakënaqësi në raportin mësimdhënës nxënës dhe anasjelltas dhe fëmijë prindër”, ka thënë Kurti.

Për këtë deklaratë të Kurtit, Lushaku-Sadriu ka thënë se është “shfaqje e pastër e hipokrizisë.

“Të pranosh dështimin është fillimi i përgjegjësisë dhe reflektimit. Por, të hedhësh barrën e keq-qeverisjes mbi supet e prindërve nuk është vetëm një akt i papranueshëm, por edhe një shfaqje e pastër e hipokrizisë. Sipas logjikës së Kryeministrit Kurti, trinomi i fajësisë për gjendjen e arsimit përfshin nxënësit, mësuesit dhe prindërit – por asnjëherë qeverisjen e tij të paaftë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, sa i përket deklaratës së Kurtit i cili tha se ka filluar lidhje e tregut të punës me arsimimin profesional, zyrtarja e LDK’së ka pyetur se “për cilin treg pune flet kryeministri, kur të rinjtë e vendit po e braktisin Kosovën çdo ditë në kërkim të mundësive në Evropë?”.

“Në vitin e fundit të mandatit të tyre, askush nuk mund të pretendojë se arsimi ishte prioritet i një qeverie që dikur i etiketoi qytetarët si “analfabetë të fshehtë”. Zhvillimi i vërtetë arsimor kërkon më shumë se fjalë të bukura; kërkon përkushtim të vërtetë, përditë dhe transparent”, ka shkruar tutje ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat