Arsenijeviq: Kurti sa më shumë flet serbisht, serbët hanë më tepër dajak

Aktuale

Arsenijeviq: Kurti sa më shumë flet serbisht, serbët hanë më tepër dajak

Më: 23 mars 2024 Në ora: 10:29
Aleksandar Arsenijeviq

Lideri i partisë ‘Demokracia serbe’ në veri të Mitrovicës, Aleksandar Arsenijeviq, ka deklaruar, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti sa më shumë ju drejtohet qytetarëve serbë në gjuhën serbe, serbët hanë më tepër dajak dhe përjetojnë nga një goditje më shumë.

Sipas tij, kjo ndodhë në formë fizike, por edhe në forma tjera të presionit institucional.

Politikani serb nga veriu i Mitrovicës tha se serbët e Kosovës po ndihen të tradhtuar me politikën e deritashme të presidentit Vuçiq dhe të Listës serbe, andaj edhe kanë humbur besimin ndaj tyre.

Duke folur për rrymën në veri, ai u shpreh pro pagesës së këtyre faturave të energjisë.

Arsenijeviq ka kritikuar infrastrukturën e dobët dhe çmimin e lartë të energjisë në Kosovë, duke thënë se kjo detyron qytetarët e asaj pjese të bartin dru e thëngjill nëpër banesat e tyre për t’u ngrohur, e që gjason si para 50 vitesh.

Aq shumë para kanë hyrë në veri, shtoi ai, sa që kjo pjesë tashmë është dashur të jetë Las Vegas.

Arsenijeviq e ka quajtur të rëndë situatën politike dhe të sigurisë në veri, ndërsa bëri të ditur se e mbështet votimin e 21 prillit për largimin e kryetarëve vetëm nëse organizohet nga OSBE-ja.

Arsenijeviq: Serbët po ndihen të tradhtuar nga ana e Beogradit

‘Kur them sa më shumë Kurti flet serbisht ne hamë më shumë dajak, e kam fjalën edhe fizikisht, por edhe presionin institucional i cili vjen nga qeveria e Prishtinës… Zotëri Kurti si pjesë e menaxhmentit të tij të krizës, për t’u treguar para bashkësisë ndërkombëtare, thjeshtë flet serbisht. Në vend se kjo të jetë lehtësim për ne me qëllimin më të mirë, ne sa herë që zotëri Kurti flet në gjuhën serbe, ndjejmë nga një goditje… Vuçiq kohën e fundit sa kam vërejtur po e humb ndikimin mbi popullatën serbe në Kosovë… Populli gjithsesi po ndihet i tradhtuar dhe kjo nuk është hera e parë. Popullata ka treguar sipas analizave të ndryshme se ka mosbesim si ndaj Beogradit, ashtu edhe ndaj Listës serbe, por edhe ndaj politikanëve tjerë në Kosovë… Është thjeshtë një atmosferë e mosbesimit tek popullata, e cila na bënë të vështirë edhe neve që jemi opozitë të kemi probleme serioze për t’i bindur se ajo që jemi duke punuar është e drejtë … Faturat e rrymës kanë arritur, unë nuk jam kundër pagesës së këtyre faturave…Ne nuk e kemi të rregulluar infrastrukturën dhe ngrohjen qendrore. Këto janë hapësira urbane dhe mund ta merrni me mend që në këtë ndërtesë të barten drutë, thëngjilli, sikur para 50 vitesh për t’u ngrohur. E dimë se Kosova është vend i dytë në Evropë më i shtrenjtë me çmim të rrymës. Aq shumë para kanë hyrë në veri dhe hapësirat me shumicë serbe sa këtu është dashur të jetë Las Vegas, dhe jo të kemi ngrohje qendrore të thjeshtë në shekullin e 21-të… Situata politike dhe e sigurisë është gjithmonë e rëndë në veri’, ka thënë për KosovaPress politikani Arsenijeviq.

Ai nuk ka dashur të tregojë nëse do të garojë për kryetar të komunës në zgjedhjet që pritet të mbahen, duke thënë se është akoma herët për të folur rreth kësaj çështje, ngase siç u shpreh, procesi i referendumit do të zgjasë pothuajse deri në fund të vitit.

Sa i përket ndalimit të dinarit, ai theksoi se ky vendim do ta fusë popullatën serbe në krim.

Sipas tij, serbët natyrisht se do të vazhdojnë me përdorimin e dinarit, qoftë edhe në sasi të vogla, me ç’rast do të vihen para një problemi serioz, sepse në të ardhmen mund të akuzohen për evazion fiskal, financim të krimit, terrorizëm etj.

Arsenijeviq: Është herët të flasim nëse do të marrim pjesë në zgjedhje

“Në lidhje me referendumin, nëse e mban OSBE-ja, të cilës ia kemi dërguar kërkesën, ne natyrisht do ta mbështesim këtë referendum… Kemi kryetarë të rinj të komisioneve zgjedhore të cilët sipas të gjitha gjasave nuk do ta dinë punën e tyre, kjo do të thotë kur shumica janë shqiptarë të cilët do ta kontrollojnë referendumin, të cilët nuk e dinë gjuhën serbe, nuk do të mund të kenë një komunikim të mirë me qytetarët, me apo pa qëllim do t’i udhëzojnë në drejtim të gabuar, dhe në këtë mënyrë njerëzit do ta humbin durimin, përkatësisht dëshirën për të dalë në referendum.. Këtu klima ndryshon nga dita në ditë… mendoj se është shumë herët të bisedojmë për këtë (nëse Demokracia serbe do të marrë pjesë në zgjedhje) sepse procesi me referendumin me siguri do të zgjatë deri në fund të vitit… Në lidhje me vendimin rreth ndalimit të dinarit, unë kam përmendur shembuj dhe kam dhënë fakte se popullata serbe në Kosovë do të futet në krim sepse me marrjen e disa mjeteve, do ta vënë veten në situatë të palakmueshme sepse Agjencia tatimore e Kosovës nuk i njeh institucionet serbe si legale, sepse nga perspektiva e tyre këto janë institucione ilegale dhe qytetarët do të vihen para një problemi serioz që munden të akuzohen për evazion fiskal, financim të krimit, terrorizëm etj. Dhe në rastin më të mirë t’iu bllokohen xhirollogaritë për shkak të transaksioneve të dyshimta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat