Apeli ia zbut dënimin në dy vjet burgim njërit ish-zyrtar të MI-së, për tjetrin e vërteton dënimin

Aktuale

Apeli ia zbut dënimin në dy vjet burgim njërit ish-zyrtar të MI-së, për tjetrin e vërteton dënimin

Më: 24 mars 2024 Në ora: 17:31
Gjykata e Apeli

Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin ish-zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Besim Tahiri, nga tri vite burgim sa ishte dënuar nga Themelorja në dy vite burgim, kurse për ish-zyrtarin tjetër, Xhelil Bekteshi, ka vërtetuar dënimin me dy vjet burgim, lidhur me akuzën për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, … ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin B.T. për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së, e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite. Në pjesën tjetër aktgjykimi i ankimuar mbetet i pa ndryshuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 tetor 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues, ku ndaj Bekteshit ishte shqiptuar dënim prej 2 vitesh burgim, kurse ndaj Tahirit 3 vite burgim, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ankesë ndaj këtij vendimi të Themelores kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, sa i përket sanksionit penal, duke kërkuar që ndaj Tahirit dhe Bekteshit të shqiptohet një dënim më i lartë.

Ndërkaq, i akuzuari Tahiri përmes ankesës i kishte propozuar Apelit që të lirohet nga akuza, me arsyetimin se nuk është provuar se është kryerës i veprës penale me të cilën akuzohej ose që çështja të kthehet në rigjykim. Po ashtu, edhe mbrojtësit e Tahirit kishin propozuar që i akuzuari të lirohet nga akuza ose çështja të kthet në rigjykim.

Po ashtu, edhe i akuzuari Bekteshi përmes ankesës së ushtruar nga mbrojtja e tij, kishte kërkuar të shpallet i pafajshëm ose çështja të kthehet në rigjykim, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale, Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe mbi sanksionin penal.

Ndërkaq, sipas vendimit të Apelit, thuhet se Themelorja ka dhënë arsyet e duhura mbi të gjitha faktet vendimtare për çështjen penale, duke paraqitur arsye për çdo pikë të aktgjykimit si ato faktike edhe ato juridike.

Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se nuk qëndron pretendimin i mbrojtjes së të akuzuarit Bekteshi se ai është shpallur fajtor vetëm me një deklaratë, por që shkalla e parë ka vlerësuar provat një nga një dhe ka gjetur fajtor të akuzuarin Bekteshi.

Gjithashtu, të pabazuar Apeli e ka gjetur edhe pretendimin e mbrojtjes së Tahirit se është fshirë nga procesi dëshmia e H.M, krejt kjo pasi sipas Apelit dëshmia e H.M pasqyrohet në faqen e 13 dh 26 të arsyetimit të vendimit të Themelores.

Shkalla e dytë, të pabazuar e ka gjetur edhe pretendimin tjetër të mbrojtjes së Tahirit dhe Bekteshit, lidhur me atë se nuk është bërë ekspertizë për caktimin e dëmit të pretenduar dhe kjo sipas Apelit është veprim i drejtë i Themelores, sepse dëmi është nxjerrë nga diferenca mes çmimit të parë ofertues me atë të dytin.

Më tej, thuhet se është vërtetuar se Bekteshi ka vepruar me dashje duke dëmtuar Ministrinë e Infrastrukturës (MI), pasi që nga provat materiale dhe personale rezulton se në cilësinë e sekretarit, Bekteshi kishte obliguar zyrtaren e arkivës të bëjë ndryshimet në favor operatorit ekonomik “Sallahu”.

Kurse për Tahirin, Apeli vlerëson se Themelorja saktë ka gjetur se si ushtrues detyre i drejtorit në Prokurorimit në (MI), kishte bërë kërkesë për tërheqje nga komisioni për vlerësimin e tenderit MI 16-029 511, e që me këtë veprim i ka krijuar favore operatorit ekonomik “Sallahu”, raporton betimiperdrejtesi.

Ndërkaq, Apeli pretendimin e Prokurorisë për shqiptim të një dënimi më të ashpër e gjen si të pabazuar, pasi që sipas tyre Prokuroria nuk ka ofruar asnjë rrethanë të re apo korrekte që do të ndikonte në shqiptimin e një sanksioni më të lartë penal ndaj Tahirit dhe Bekteshit.

Kurse, për shqiptimin e dënimit më të ashpër ndaj Tahirit sesa Bekteshit nga Themelorja vetëm pse ndaj tij zhvillohen edhe procedura tjera penale, Apeli ka gjetur se duhet zbutur pasi që sipas tyre edhe me dënimin prej dy vitesh burgim arrihet qëllimi i dënimit.

Ndryshe, Tahiri është i akuzuar edhe në rastin e njohur si “53-milionëshi”, meqë rast është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, gjithashtu për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit, aktgjykimin e shkallës së parë e ka anuluar dhe çështjen ia ka kthyer të njëjtës në rigjykim dhe rivendosje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngarkonte Xhelil Bekteshin se në pozitën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

I pandehuri Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat