LIVE: Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e 53-të - pranohen dokumentet e kundërshtuara në seancën e mëparshme

Aktuale

LIVE: Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e 53-të - pranohen dokumentet e kundërshtuara në seancën e mëparshme

Më: 25 mars 2024 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 10:58 më 25.03.2024
Pamje nga seanca

Haga pranon dokumentet e kundërshtuara në seancën e mëparshme ndaj gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që dokumentet të cilat u kundërshtuan në seancat e kaluara të pranohen si prova materiale, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në seancën e sotme gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha se këto dokumente janë të relevante për t’u vërtetuar natyra e punës së personave që përmenden në ato si dhe aktivitetet e tyre që i kanë kryer gjatë punës.

“Sa i takon ofertës së ZPS-së për pranimin e dy dokumenteve në dëshminë e dëshmitarit 04571, trupi gjykues vendos si më poshtë: Sa i takon relevances, trupi gjykues konstaton se ato janë dokumente relevante pasi kanë të bëjnë me persona të cilët pretendohet se janë viktima të krimeve të cilët kanë të bëjnë me këtë çështje dhe që kanë të bëjnë me dyshime të lidhura me këtë individ që kanë bërë gjatë luftës. Për me tepër, këto dokumente janë relevante për të vërtetuar së pari natyrën e punës së përbashkët të kryer nga bashkëpunëtorët e dyshuar si dhe shkallën e aktiviteteve të tillë të dyshuara të kryera nga ky grup bashkëpunëtorëve”, tha Smith III.

Ai dha jepi shpjegim edhe sa i takon autenticitetit të këtyre dokumenteve duke thënë se nuk kanë informacion përveç atyre që i ka ofru ZPS-ja në seancën e kaluar.

“Sa i takon autenticitetit, trupi gjykues konstaton që nuk ka informacion asgjë tjetër përveç faktit se këto janë informacione që janë mbledhur nga forca Zbulim-Kundërzbulim dhe individë të cilët mund të jenë të dyshuar si bashkëpunues të autoriteteve serbe. Nuk ka informacion se këto dokumente mund të jenë të ndërhyra dhe me aq sa dihet këto dokumente janë thjeshtë dokumente të asaj kohe që kanë të bëjnë me informacionin e përmbajtur në të”, tha gjyqtari.

Gjyqtari tha se sipas ZPS-së këto dokumente janë sekuestruar nga autoritetet serbe të cipa më pas ia kanë dhënë TPNJ-së.

“ZPS-ja tregon që dokumentet janë sekuestruara nga autoritetet serbe dhe me pas u janë dhënë TPNJ-së. Të dy dokumentet kanë të bëjnë me anëtarët e UCK-së, takimet dhe aktivitetet e anëtarëve të UCK-së. Dëshmitari 04571 ka dhënë dëshmi të drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit që është në pajtim me shënimet e mbajtura me shkrim dore që kanë të bëjnë me lidhjet e pretenduara në veçanti me oficerin e Policisë serb dhe individ të tjerë të cilët përmenden me këto dokumente. Dokumentet mbështetin pjesërisht shënimet me shkrim dore në dëshminë që tregon se është lëshuar një urdhër-arresti për dëshmitarin përpara se ai të burgosej”, tha ai.

Tutje, ai tha se mbrojtja nuk ka arrit të shpjegojë se këto dokumente nuk duhet të merren parasysh.

“Së fundi mbrojtja nuk ka barrë sa i takon këtij aspekti dhe trupi gjykues konstaton se mbrojtja nuk ka ofruar shpjegime të besueshme se pse këto dokumente nuk duhet të merren parasysh dhe nuk duhet të konsiderohen si informacione të rëndësishme për këtë çështje gjyqësore”, tha ai.

Në fund, trupi gjykues, tha se këto dokumente kanë vlerë provuese ‘prima-facie’ kështu duke i pranuar në prova materiale.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e 53-të

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitari i ri i ZPS-së është Shaun Byrnes, i cili, sipas ZPS-së, ishte Shef i Misionit Diplomatik Vëzhgues të SHBA-së në Kosovë (US KDOM) nga gushti 1998 deri në korrik 1999.

Video:

Sipas vendimit të mëparshëm të Trupit Gjykues, një përfaqësues nga qeveria e SHBA-së po e shoqëron dëshmitarin në sallën e gjyqit.

Vijon procesi në Hagë: Ish-pjesëtarët e UÇK-së përballen me akuzat për krime të luftës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, procesi gjyqësor kundër disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) vijon, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe të medias ndërkombëtare. Seanca e radhës, e cila është caktuar të zhvillohet sot në ora 09:00, është pjesë e një serie gjyqësorësh që trajtojnë akuzat për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit të supozuara të kryera gjatë konfliktit në Kosovë.

Në kuadër të këtij procesi, janë marrë në shqyrtim dëshmitë nga dëshmitarë të mbrojtur dhe të pa mbrojtur, që kanë ndarë përvojat e tyre lidhur me ngjarjet gjatë konfliktit. Dëshmitë kanë përfshirë tema si trajtimi i civilëve dhe respektimi i të drejtave të njeriut, duke u fokusuar posaçërisht në trajtimin e të burgosurve, akuzat për vrasje, dhe zhdukjen e personave nga anëtarët e UÇK-së.

Veçanërisht, dëshmitë kanë trajtuar çështje që lidhen me të drejtat e komuniteteve të ndryshme etnike në Kosovë, përfshirë romët, duke theksuar sfidat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë dhe pas konfliktit. Ky proces gjyqësor shërben si një platformë për të adresuar akuzat dhe për të ndihmuar në procesin e drejtësisë dhe të rimëkëmbjes për viktimat dhe familjet e tyre.

Procesi në Hagë shihet si një hap kyç në përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë drejtësi dhe për të garantuar që ngjarjet e kohës së konfliktit të shqyrtohen me një sy kritik dhe të pavarur, duke u mundësuar të gjitha palëve të përfshira të dëgjohen dhe të trajtohen me barazi para ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat