​Rriten kërkesat për udhëtime në destinacione të reja pas liberalizimit të vizave

Aktuale

​Rriten kërkesat për udhëtime në destinacione të reja pas liberalizimit të vizave

Më: 30 mars 2024 Në ora: 10:52
Foto ilustrim

Ndonëse nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës po gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane, atyre u është hapur mundësia që të shëtisin në vende të ndryshme turistike.

Krahasuar me vitet paraprake, për vitin 2024, në agjencionet e fluturimeve, dukshëm janë rritur kërkesat për udhëtime. Ndërsa edhe kërkesat për destinacione të reja janë rritur jashtëzakonisht shumë.

Fidane Ymeri, menaxhere në “Fibula Travel”, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kanë hyrë në treg destinacione të reja, pasi kërkesat e udhëtarëve pas liberalizimit të vizave për të eksploruar e vizituar vendet evropiane, ku në të kaluarën nuk kanë pasur mundësi t’i vizitojnë, janë të mëdha.

Ndërkaq për çmime të udhëtimeve thotë se janë të arsyeshme, pasi janë bërë edhe shumë kombinime të destinacioneve.

Ymeri: Kanë hyrë në treg destinacione të reja

“Ka shumë ndryshime, ka shumë kërkesa, shumë destinacione të reja që kanë hy në treg dhe njerëzit veç po provojnë destinacione të reja, sidomos pas liberalizimit të vizave. Fibula mundohet t’i plotësoj të gjitha kërkesat që i ka, duke filluar nga grupmoshat e reja, të mesme, grupmoshat e shtyme, duke iu përgjigjur secilës moshë.... Nuk ka shumë ndryshime të çmimeve, ka shumë kombinime të destinacioneve me çmime shumë të arsyeshme”, ka thënë Ymeri.

Kurse, destinacionet më të kërkuara sipas Ymerit, janë destinacionet për Evropë siç është Italia dhe Barcelona, si dhe Paris Disneyland, që janë tashmë më të frekuentuarat.

Ymeri: Paris Disneyland është destinacioni më i kërkuar për familjarë

“Ka shumë kërkesa, kemi llojllojshmëri të klientëve, ka edhe shumë familjarë. Tashmë veç kanë filluar këto pushimet pranverore të fëmijëve dhe Paris Disneyland, është destinacioni më i kërkuar për familjarë, duke mos anashkaluar Barcelonën dhe Italinë për çifte, ndërsa për moshat e reja prapë hynë Italia, Dubai dhe destinacionet ekzotike”, shtoi ajo.

Sa i përket kërkesave për të vizituar vendet fqinje, Ymeri tha se Shqipëria ka kërkesa kryesisht për vikende, derisa Selaniku është më i kërkuari për momentin.

Ymeri: Selaniku ka më shumë kërkesa për momentin

“Zakonisht Shqipëria ka kërkesa kryesisht për vikende po normal tash destinacionet e reja, Greqia ka çmime shumë të mira, ka jashtëzakonisht kërkesa. Nëse ndalemi vetëm te Greqia dhe Selaniku, ka më shumë kërkesa për momentin”, u shpreh ajo.

Ndryshe, përveç udhëtimeve turistike pas liberalizimit të vizave, në vazhdimësi është raportuar për emigrimin e qytetarëve nga Kosova.

Në fillim të këtij viti, instituti GAP përmes një ankete të realizuar me mbi 1 mijë qytetarë, ka thënë se në tremujorin e parë të vitit 2024, planifikohet që 28 për qind e qytetarëve të Kosovës, mbi moshën 18 vjeç të emigrojnë.

Ndërkaq, sektorët që pritet të preken më së shumti nga largimi i punonjësve janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë, me 18.7 për qind, pastaj ai i tregtisë dhe prodhimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat