Nga janari 24 mijë qytetarë kanë paguar deri 80 euro për t’u pajisur me pasaportë brenda 72 orëve

Aktuale

Nga janari 24 mijë qytetarë kanë paguar deri 80 euro për t’u pajisur me pasaportë brenda 72 orëve

Më: 31 mars 2024 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Nga 1 janari i këtij viti, kosovarët udhëtojnë pa viza në Evropë.

E kjo ka rritur edhe interesimin e qytetarëve për t’u pajisur me pasaporta.

Për ta marr një dokument të tillë, qytetarët po presin me javë të tëra.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë duke punuar edhe në fundjavë për t’i reduktuar pritjet.

“Për të përshpejtuar procesin e pajisjes me pasaportë, kemi ndërmarrë masa për të përmirësuar shrbimin tonë. Aktualisht, punojmë edhe në fundjavë me qëllim të zvogëlimit të pritjes. Për shkak të liberalizimit të vizave dhe numrit të madh të aplikimeve në dy muajt e fundit, pritja është pak më tepër se një muaj. Megjithatë, në raste të ndonjë problemi teknik, pritja mund të shtyhet”, kështu thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Qytetarët e kanë mundësinë për të aplikuar për pasaportë edhe me procedurë të përshpejtuar.

Mirëpo, kjo formë e aplikimit kushton më shumë, deri në 80 euro.

E sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme për Front Online kanë bërë me dije se 24 mijë qytetarë deri të enjten janë pajisur me pasaportë në këtë formë.

“Gjithashtu, pritjet për pasaportat për fëmijë po zvogëlohen duke u përmbajtur masave të marra për të përmirësuar shërbimin. Nga fillimi i janarit 2024 e deri dje (27.3.2024), rreth 24 mijë persona janë pajisur me pasaportë nëpërmjet procedurës së përshpejtuar”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Sipas të dhënave të fundit, nga janari i këtij viti, numri i aplikimeve për pasaportë të Kosovës është 144 mijë e 225.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 27 shtet anëtare të zonës Schengen.

Ndryshe, udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat