​Kurti përkujton shqiptarët e vrarë në masakrën e Burimit

Aktuale

​Kurti përkujton shqiptarët e vrarë në masakrën e Burimit

Më: 31 mars 2024 Në ora: 16:29
Albin Kurti

Në 25-vjetorin e masakrës në Burim të Malishevës, kryeministri Albin Kurti bëri sot homazhe në përkujtim të civilëve të vrarë më 31 mars 1999.

"Te “Vrella e Mëhillit” në Burim të Malishevës janë ekzekutuar 42 shqiptarë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Prej 10-vjeҫ deri në 90-vjeҫ. Siç thuhet edhe në lapidarin që është ngritur këtu e ju kushtohet atyre, varret e tyre janë historia jonë", tha kryeministri.

Kurti tha se këto homazhe po bëhen që t'ia përkujtojmë vetes dhe popullit, si qytetarë e si zyrtarë të institucioneve se sa i lartë ishte çmimi për lirinë tonë dhe se ku ndodhen rrënjët e shtetit që e gëzojmë.

Kryeministri Kurti paraditen e sotme mori pjesë edhe në tubimin përkujtimor në shënim të 25-vjetorit të masakrës në Pastasel, në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në Pastasel të Rahovecit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat