Gecaj i quan fushatë zgjedhore deklaratat e krerëve shtetëror për sulme të mundshme nga Serbia

Aktuale

Gecaj i quan fushatë zgjedhore deklaratat e krerëve shtetëror për sulme të mundshme nga Serbia

Më: 2 prill 2024 Në ora: 18:28
Hysen Geca

Kërcënimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, nga njohësi i fushës së sigurisë, Hysen Gecaj, po konsiderohen si marketing parazgjedhor për qeverisjen aktuale.

Kjo u tha në kuadër të diskutimit për tentim atentatin ndaj kryeministri, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shkup dhe për praninë e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, teksa Gecaj tha se për aq kohë sa s’ka deklarime konkrete nga organet kompetente, atëherë spekulime të tilla s’duhet të vlerësohen serioze.

“Në kuadër të kësaj, po bëhet edhe këto informime të popullatës, që kemi kërcënime të këtij lloji, ose të atij lloji. Derisa s’del me qëndrime të qarta kryeministri ose ministri dhe të thonë se e kanë identifikuar ndonjë kërcënim, të tregojnë veprimet konkrete, të tregojnë se kanë bërë koordinim me Policinë e Kosovës, me KFOR-in, me AKI-në, FSK-në, e që i kanë marrë masat t’u kundërvihen një agresioni të tillë, atëherë kjo mbetet më shumë si një spekulim në fushën e një marketingu parazgjedhor. Kjo më shumë më tingëllon si fushatë, se sa diçka shumë serioze. Shteti nuk do duhej të merret me çështje kaq serioze, për çështje fushate”, deklaroi Gecaj.

Tutje, njohësi i sigurisë tha se këto “spekulime”, nënkuptojnë se Kurti ka dalë me një qëllim të caktuar me këto deklarime, ose organet e sigurisë të Kosovës kanë qenë të paafta për t’i ndjekur më tutje këto çështje, veçanërisht tentim atentatin në Maqedoninë e Veriut.

“Para disa ditëve patëm një tentativë për atentat në kryeministrin Kurti, ku edhe ai vet tha se ka vërejtur shumë forca policore përreth tij në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, nga kjo s’ka ndonjë informatë tjetër, kjo do të thotë të luajnë me ndjenjat e qytetarëve, s’guxon kryeministri të dalë me një deklarim të tillë, përderisa nuk e ka një informatë të plotë. Kjo nënkupton që ose kryeministri ka dalë me një qëllim të caktuar me atë deklarim,ose organet tona të sigurisë kanë qenë të paafta për ta ndjekur këtë çështje më tutje. Synimi i tyre është që në një kohë ku po e konsiderojnë parazgjedhore ose fushatë, e cila s’është ndërprerë si e tillë asnjëherë prej se kur është zgjedhur kjo qeveri.”, potencoi tutje Gecaj.

Megjithatë, Gecaj tha se veprime si këto i sjellin dëm dhe shumë stres popullatës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat