Këta janë eprorët serbë të dyshuar për masakrën në Kralan të Gjakovës

Aktuale

Këta janë eprorët serbë të dyshuar për masakrën në Kralan të Gjakovës

Më: 2 prill 2024 Në ora: 20:40
Masakra e Kralanit

Mijëra civilë shqiptarë, kryesisht nga Klina, gjatë prillit të 99-s ishin grumbulluar në shkollën fillore në Kralan të Gjakovës. Ata mbanin në duar flamurin e bardhë për t’iu treguar forcave serbe se janë dorëzuar.

Kështu nis rrëfimi për ngjarjen që do të përfundonte me një masakër të tmerrshme.

Kallëzimi penal që Fondi për të Drejtën Humanitare më 2013 e ka dorëzuar në Beograd, përpos rrëfimit për ngjarjen, mban edhe detajet për ata që urdhëruan krimet.

“Pra në këtë kallëzim penal janë si të dyshuar gjashtë persona/eprorë të cilët kanë marrë pjesë dhe të cilët kanë qenë të përfshirë në vrasjen dhe urdhëdhënien e ekzekutimit të më shumë se 78 meshkujve shqiptarë të cilët janë ndaluar dhe më pas ekzekutuar”, ka deklaruar Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë.

Disa nga emrat dhe mbiemrat e eprorëve serbë që dyshohet se udhëruan ezkekutimin e 78 meshkujve shqiptarë janë: Dragan Zhivkoviq, ish-komandant i Shtabit të Brigadës së Motorizuar 125, Gjorgje Nikoliq, ish-kryeshef në të njëjtën Brigadë, Zharko Brakoviq, ish-komandant i Repartit 24 të Njësitit Special të Policisë, si dhe Robert Shmajcel, zëvendëskomandat i grupit luftarak 5 të Brigadës së Motorizuar 125.

Kur kolona e civilëve arrin në dalje të fshatit, ajo u ndalet nga forcat serbe. Gratë dhe fëmijët dëbohen për në Shqipëri, ndërsa 500 meshkuj rrethohen në një fushë të katundit.

Më pas me dhunë i çojnë pranë një përroi dhe i urdhërojnë që duart t’i mbajnë pas kokës. Përsëri i kthejnë në fushën e rrethuar me tanke dhe autoblinda. Gjatë natës së 2-3 prillit plagosen dy djem të ri, ndërsa i gjithë grupi qëndron pa ushqim e ujë në qiell të hapur.

Më 3 prill 500 pengjet shqiptare urdhërohen të grumbullojnë para, me ç’rast i mbledhin 10 mijë marka. Të nesërmen dy të plagosurit me disa më të moshuar transportohen për në Gjakovë.

Më 4 prill në livadh vjen një major me emrin Gjuriq dhe pengjeve ju drejtohet me fjalët  “Ju do të shkoni në Shqipëri sepse e doni Amerikën, e jo neve.”

Të moshuarit i nisin me kamion, ndërsa 78 djem e burra të rinj mbesin para tytës së armës. Të gjithë pushkatohen një nga një.

Trupat e 17 meshkujve janë gjetur në vitin 2001 në një varrezë masive afër liqenit Peruçac në Serbi. 8 meshkuj tjerë të vrarë janë zhvarrosur nga varrezat në fshatin Brekoc afër Gjakovës. Ndërsa 53 trupat të tjerë të djemve të rinj shqiptarë kurrë nuk janë gjetur.

Midis meshkujve, 11 kanë qenë të mitur, dy prej të cilëve 15-vjeçarë.

Le që nuk janë gjetur trupat e viktimave, por Prokuroria në Beograd as nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, përkundër që këto dokumente ofrojnë dëshmi të qarta me emër e mbiemër. As organet kosovare të drejtësisë nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim.

Fondi ka dorëzuar rreth 10 kallëzime penale për masakrat në Lybeniq, Qyshk, Zahaq, Pavlan ku janë akuzuar rreth 10 anëtarë të grupit famkeq “çakallët”. Ata janë dënuar nga shkalla e parë dhe rasti është në ri-gjykim, i cili tash e 10 vjet po zvarritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat