Skandali me mishin e Brazilit, pezullohet nga puna inspektori i AUV-it

Aktuale

Skandali me mishin e Brazilit, pezullohet nga puna inspektori i AUV-it

Më: 3 prill 2024 Në ora: 16:41
Qenan Maxhuni

Komisioni Disiplinor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim për pezullimin nga puna të inspektorit Qenan Maxhuni, i cili dyshohet se ka falsifikuar vendin e origjinës për mishin që dyshohet se kompania “Apetit” e importonte nga Brazili dhe e shiste në Shqipëri si mish i freskët nga Kosova.

Vendimi për pezullim është marrë të mërkurën, kanë konfirmuar nga Ministria e Bujqësisë.

“Komisioni duke u bazuar në ndjeshmërinë e çështjes, bazuar në neni 59 paragrafi 4 dhe nenit 69 paragrafi 1 nën paragrafët 1.1 të Ligjit nr 08/L-197 për Zyrtarët Publik, vendosi që nëpunësi z.Qenan Maxhuni në pozitën e Inspektor Veterinar të pezullohet sipas detyrës zyrtare, sepse ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil ndaj të cilit ka filluar procedura disiplinore, pengon hetimin disiplinor ose mund të cenoj ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij”, thuhet në arsyetim.

“Menjëherë, pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinës së produktit ushqimor (mish) nga Operatori Ekonomik Apetit sh.p.k, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur.

Lidhur me involvimin e zyrtarit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, janë marrë masat e nevojshme administrative, dhe i njëjti është pezulluar nga detyra zyrtare.

Për ta hetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik, me c’rast janë njoftuar të gjitha autoritetet e linjës si Dogana e Kosovës dhe Agjencia Tatimore e Kosovës për thellim të hetimit  të cështjes në fjalë.

Si institucion garantojmë transparencë të plotë dhe qasje në të dhënat e komisionit të formuar, pas përfundimit të auditimin, gjurmueshmërisë dhe përputhshmërisë. Në rast të konfirmimit të pretendimeve, të gjithë akterët e involvuar në këtë rast do të perballen me pasoja ligjore dhe administrative. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, respektivisht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk do ta amnistojë asnjë zyrtar për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje ligjore”, thonë nga ministria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat