Shkodra: Vizita e Kurtit në veri ishte e duhur, por e vonuar

Aktuale

Shkodra: Vizita e Kurtit në veri ishte e duhur, por e vonuar

Më: 4 prill 2024 Në ora: 00:10
Selam Shkodra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i vizitoi të mërkurën komunat me shumicë serbe në veri të vendit – Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Kjo vizitë u konsiderua e duhur, por e vonuar, nga Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra.

Po ashtu, Shkodra tha se Kurti ka pasur synim t’i tregojë bashkësisë ndërkombëtare, se situata në veri po shkon drejt normalitetit.

“Kurti në veri ka pasur një qëllim të përçojë një mesazh edhe te qytetarët e komunitetit serb që është një kryeministër i të gjithëve, por edhe te Bashkësia Ndërkombëtare për t’iu treguar se situata e sigurisë atje është duke shkuar drejt normalitetit. Ka qenë një vizitë e duhur, por e vonuar. Kurti ka pasur mundësi të shkojë edhe më herët në atë pjesë të vendit”, deklaroi Shkodra.

Megjithatë, Shkodra tha se vizita të tilla nga kryeministri duhet të përsëriten më shpesh, në mënyrë që të jetë më afër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Kurti të mërkurën gjatë ditës ka vizituar komunat në veri të vendit, ku ka marrë pjesë edhe në përurimin e pllakës përkujtimore për heroin Enver Zymeri, në vendin ku ai u vra në Zubin Potok.

Për këtë vizitë ka reaguar Lista Serbe (LS), e cila ka thënë se “Kurti ka dashur të provokojë reagimin e popullit serb e të paraqitet si viktimë, për të fituar disa pikë politike më shumë apo vota për zgjedhjet e ardhshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat