​Lista Serbe nuk merr pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve në veri

Aktuale

​Lista Serbe nuk merr pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve në veri

Më: 7 prill 2024 Në ora: 20:20
Ilustrim

Lista Serbe njoftoi se nuk do të merr pjesë në votimin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti “për përpjekje për dëbim të serbëve”.

Vendimi që më 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve në komunat në veri pasoi verifikimin e listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticion gjatë janarit në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga Kurti, do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë në një moment kur i njëjti Kurti ua ka mohuar serbëve të drejtën për pensione, paga, përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi e persekutoi serbët,” thotë Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka bërë përgatitjet për votimet e 21 prillit dhe për largimin e kryetarit të një komune duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote. Nëse dështon, një peticion tjetër nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.

Por Lista Serbe thotë se kryeministri Kurti “dëshiron ta përdorë këtë census për ta sulmuar më tej Serbinë me disa pretendime për dëmshpërblim të luftës, gjë që dekurajon edhe më tej çdo serb që të jetë pjesë e këtij procesi.”

Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit 2023, të cilat u bojkotuan nga serbët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat