​Noterët ia bëjnë vetes sot pushim, ankohen qytetarët

Aktuale

​Noterët ia bëjnë vetes sot pushim, ankohen qytetarët

Më: 8 prill 2024 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

Noterët e vendit sot ia kanë bërë vetes ditë pushimi edhe pse nuk shënohet asnjë festë zyrtare në kalendarin e festave zyrtare. Qytetarët e Prishtinës dhe të komunave të tjera janë duke kërkuar zyre noterizimi për të vulosur dokumente e tyre por edhe pse e hëna është ditë e punës për noterët, zyret e noterizimit janë të mbyllura, e kurse, edhe për thirrje i kanë telefonat e ndalur.

Ndërkaq, qytetarët të cilët i ka intervistuar KosovaPress kanë treguar se kanë kërkuar në çdo zyre të noterizimit por se ata ose nuk janë në zyre ose e gjitha zyra është e mbyllur.

Një qytetare nga Prishtina theksoi se ka telefonuar zyret e noterizimit për të pyetur nëse janë të hapur. Ajo tha se disa prej tyre janë arsyetuar se janë jashtë vendit, e disa nuk janë lajmëruar.

Qytetarja: Në të gjitha lagjet e Prishtinës jam duke kërkuar noter

“Nga ora 10:00 jam duke kërkuar noter në disa vende, edhe pse këta janë shumë mangët. Janë dy ose tre në këtë regjion. Kam kërkuar në Ulpianë, pjesën e grandit, ndërsa mua më duhet në ora 10:00 të enjten me nënshkruar kontratën. Një pjesë më thanë që hapen në 09:30 dhe nuk janë hapur. Kjo nuk është në rregull, disa mu arsyetuan se janë jashtë vendit, nuk e di ku kanë përgjegjësi”, tha një qytetare.

Po ashtu, edhe qytetari nga komuna e Skenderajt tha se ka udhëtuar nga Drenasi për të gjetur noter për dokumentet e tij.

Ai tha se në qytetin e Drenasit të gjitha zyret e noterizimit kanë qenë të mbyllura, prandaj ka ardhur të kërkojë ndonjë në Prishtinë.

Qytetari: Nga Drenasi në Prishtinë po kërkoj noterë, të gjithë të mbyllur

“Kjo po ata të tjerët nuk ishin duke punuar, ishim të plot në Drenas nga komuna e Skenderajt. Na kanë thënë që kemi me shkuar në një trajnim”, tha qytetari.

Edhe, një tjetër qytetar tregoi për KosovaPress se po kërkon noter dhe se i duhet për t’i vulosur dokumentet e tij sepse ka për të udhëtuar.

Qytetari: Nuk ka noterë sot, mua më duhet me i vulos dokumentet për shkak se udhëtoj

“Jam duke kërkuar noter që nga ora 10:00 e mëngjesit, por nuk ka ende. Po thonë që janë në pushim, po më duhet me e përfunduar punën sot për me u nis nesër”, potencoi një qytetarë.

Ndërkaq, në mesin e shumë zyrave të noterizimit të cilët ka kontaktuar KosovaPress nuk janë përgjigjur, ndërsa, një nga zyret noterizuese e cila foli për KosovaPress ka thënë se sot e kanë ditë pushimi dhe këtë pushim do taa vazhdojnë edhe në festat e ardhshme deri ditën e enjte.

Zyra e noterizimit: Sot e kemi ditë pushimi, nuk punojmë deri të enjten

“Jo valla deri të enjten nuk punojmë, sot e kemi ditë pushimi, nesër dita e Kushtetutës edhe festa e Bajramt. Sot nuk është ditë pushimi deri të enjten nuk jemi këtu. Jo valla as për dokumente nuk është askush në zyre”, tha në një audio me zë.

Zyret e Noterizimit në qytetet e Kosovës, disa me lajmërim e disa jo, ditën e hënë e kanë bërë ditë pushimi dhe nuk janë të hapura deri ditën e enjte, 11 Prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat