Paçarizi: Bajram Rexhepi ka qenë kryeministër përbashkues dhe i guximshëm

Aktuale

Paçarizi: Bajram Rexhepi ka qenë kryeministër përbashkues dhe i guximshëm

Më: 11 prill 2024 Në ora: 22:20
Rrahman Paçarizi

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova është diskutuar lidhur me koalicionet qeveritare ndër vite në Kosovë, si dhe rezultatet e qeverive të formuara përmes koalicioneve.

Profesori Rrahman Paçarizi, ka folur për qeverinë e parë të pasluftës në Kosovë, të drejtuar nga Bajram Rexhepi.

Sipas tij, kjo qeveri kishte një kombinim interesant pasi zgjedhjet i kishte fituar Lidhja Demokratike, ndërkaq posti i shefit të ekzekutivit i ishte dhënë Bajram Rexhepit, i cili ishte pjesë e Partisë Demokratike.

“Bajram Rexhepi ishte zgjidhje kompromisi, sepse krerët e lartë të UÇK-së ishin të papranueshëm për LDK-në, por edhe për një pjesë të faktorit ndërkombëtar, u gjet Bajram Rexhepi, i cili e kishte autoritetin e mjekut, si i tillë ishte i pranueshëm. Ky e kishte edhe trashëgiminë e luftës, ishte pjesë e PDK-së, ndonëse jo shumë lart në strukturat e PDK-së, nuk ishte themelues, ishte mjek, kontribuues edhe luftëtar dhe që ishte me shumë autoritet në Mitrovicë”, tha Paçarizi.

Tutje ai tha se Bajram Rexhepi ishte kryeministër përbashkues dhe i guximshëm, dhe se disa nga situatat me të cilat ishte ballafaquar Bajram Rexhepi s’do të mund t’i kishte përballuar dikush tjetër.

“Rexhepi ka qenë person përbashkues dhe i guximshëm, ka qenë ndër të parët që ka dalë në pjesën veriore, ka rindërtuar dhe ka jetuar në shtëpinë në pjesën veriore, ka qenë i guximshëm, kjo është parë edhe prej asaj që e çoi deri në fund mandatin me gjithë telashet shumë serioze, shumë të rënda në marsin e vitit 2004, që unë nuk besoj se dikush tjetër do të kishte mundur ta përballonte atë situatë me gjithë antagonizmat brenda Qeverisë së Kosovës dhe spektrit politik të Kosovës. Ndërkombëtarët kanë qenë mburojë për zotin Rexhepi, sepse ia kanë ofruar një ekip profesional, të pakontaminuar në zyrën e tij dhe nuk ka pasur as ndërhyrje, as qasje të lehtë me ndërhy në ekipin e Rexhepit, integriteti i tij e ka bërë një nga kryeministrat më të suksesshëm në këtë plan”, tha Paçarizi në Rubikon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat