Vrasja e rëndë në Ferizaj – Policia del me detaje shtesë, konfirmon plagosjen edhe të 15 vjeçarit

Aktuale

Vrasja e rëndë në Ferizaj – Policia del me detaje shtesë, konfirmon plagosjen edhe të 15 vjeçarit

Më: 12 prill 2024 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në Ferizaj. Një person ka vrarë një grua në Qendrën për Punë Sociale ndërsa ka plagosur një burrë. Detaje shtesë rreth këtij rasti për Insajderin ka dhënë zëdhënësi i policisë, Kanun Veseli.

Ai konfirmoi se gruaja ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa i plagosur ka mbetur edhe një 15 vjeçar.

Veselo shtoi se i dyshuari është një 36 vjeçar i cili ka arritur të arrestohet pak minuta pas ngjarjes.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur”, tha ai.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore“.

Hetuesit dhe krim teknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, bëri me dije Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat