Ende nuk janë liruar të gjithë - “Shoferi dhe dy udhëtarë qe 6 orë janë në mbajtje nga serbët, ua kanë marrë telefonat dhe dokumentet”

Aktuale

Ende nuk janë liruar të gjithë - “Shoferi dhe dy udhëtarë qe 6 orë janë në mbajtje nga serbët, ua kanë marrë telefonat dhe dokumentet”

Nga: Bota sot Më: 17 prill 2024 Në ora: 00:37 Përditësuar në ora: 12:06 më 17.04.2024
Pamje nga vendi i ngjarjes

Bllokimi i autobusëve në kufi, Kusari: Serbia duhet të ballafaqohet me përjashtim nga KiE, njëjtë sikur Rusia

Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari Lila, ka reaguar pas bllokimit të autobusëve në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me përjashtim, njëjtë sikur Rusia.

Veprimet e tilla, Kusari Lila thotë se rrezikojnë jetë dhe dëmtojnë qytetarë të pafajshëm.

“Dje, përfaqësuesit serbë në KiE kërcënuan se do të tërhiqen nëse Kosova anëtarësohet.

Serbia duhet të ballafaqohet me përjashtim, njëjtë sikur Rusia. Veprimet e tilla si bllokimi i 300 udhëtarëve në kufirin mes Serbisë e Kroacisë që nga mëngjesi i hershëm rrezikon jetë dhe dëmton qytetarë të pafajshëm.”

Zyrtari i Kosovës në Beograd arrin në kufirin Serbi-Kroaci ku po mbahen të bllokuar autobusët nga Kosova

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli ka arritur në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë e ku po mbahen të bllokuar 11 autobusë me rreth 600 udhëtarë.

Haxholli tha se nga mesnata Serbia po i mban të bllokuar mbi 300 qytetarë të Kosovës në kufirin e saj me Kroacinë.

Haxholli tha se “në hakmarrje dhe nervozizëm absurd” nga votimi i mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, Serbia s’po i lë të kalojnë autobusët me targa të Kosovës.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarsimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Tre të rinj i çuan brenda, 11 autobusë me rreth 600 udhëtarë janë të bllokuar - shoferi tregon për situatën në kufirin Serbi-Kroaci

Shoferi i njërit prej autobusëve që është bllokuar në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë ka treguar për situatën atje. Ai tha se aktualisht të bllokuar janë 11 autobusë me rreth 600 udhëtarë.

Shqiptari që deshi të mbetet anonim për shkak të sigurisë, tha që pala serbe ua ka marrë mbrëmë dokumentet si zakonisht mbrëmë në mesnatë dhe se të njëjtët nuk ua ka kthyer ende.

“Absolutisht hiç. Veç na i kanë marrë dokumentet. I kanë skanuar sikur herët e tjera dhe si kanë kthyer më mbrapa. Na kanë thënë parkoni atje para mjetet. Prej orës 12 mbrëmë në mesnatë nuk na i kanë kthyer ato”, tha ai kur u pyet se a kanë marrë sqarime për mbajtjen e dokumenteve të tyre nga policia serbe.

Qytetari që po pret në kufi, tha se ka qenë dëshmitarë kur tre udhëtarë të njërës prej kompanive të autobusëve janë marrë dhe janë dërguar brenda.

“Prej kompanisë Zhitia Raisen, i morën tre udhëtarë, tre djem të rinj dhe i çun atje brenda. I banën rreth dhe i futën brenda aty. Janë bllokuar 11 autobusë, përafërsisht janë 600 qytetarë”, tha tutje ai.

MPJD dhe MPB kanë një njoftim me rëndësi: Qytetarët të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë thirrje që pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

"MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.

Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni faqen zyrtare të Policisë së Kosovës reth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim", thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Qindra qytetarë të Kosovës që nga mesnata janë duke u mbajtur të bllokuar nga autoritetet serbe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

“Në hakmarrje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare”, Serbia bllokon më shumë se 300 qytetarë nga Kosova në kufi

Nga orët e para të së mërkurës, mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi, në pikë kalimin me Kroacinë, kanë bërë të ditur disa shtetas të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

Fatmir Haxholli nga kjo zyrë ka thënë se kjo ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion. 

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Facebook.

Haxholli, si dhe qytetarët e bllokuar, kanë konfirmuar se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet duke i mbajtur.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, ka shtuar Haxholli.

Haxholli ka thënë se është në pritje të përcjelljes së afërt që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci për t’iu gjetur afër qytetarëve.

Serbia bllokon autobusët e Kosovës në kufirin me Kroacinë, pritjet deri në 4 orë

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë marrë udhë për në Kosovë me autobusë janë ndaluar në pikën kufitare Kroaci – Serbi.

Një nga pasagjerët ka thënë se pritjet janë mbi 4 orëshe ku pala serbe ua ka marrë dokumentacionet.

“Jemi duke pritë prej orës 3 të mëngjesit. Për momentin na kanë thënë të qëndrojmë në autobus kinse se nuk do të na vonojnë edhe shumë”.

“Dokumentet na i kanë marrë të gjithëve dhe s’është kryer as edhe një kontroll. Jemi diku afro 10 autobusë që po presim”, tha një qytetar në kushte anonime.

Në pamjet e siguruara, shihet se autobusët po vazhdojnë të presin akoma, e për të cilën pritje nuk dihet arsyeja.

Serbia bën veprimin e ulët pas anëtarësimit të Kosovës në KiE, bllokon autobusët me qytetarë në kufi

Pak orë pasi është votuar pro rekomandimit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, Serbia ka bërë veprimin e parë të ulët.

Në pikat kufitare serbe autobusët e Kosovës janë ndaluar dhe ka disa orë që nuk po lejohen të futen në Kosovë.

Ky vendim ka bërë që shumë autobusë me tabela të regjistrimit të Kosovës po presin më shumë që tre orë në pikat kufitare serbe.

Atyre nuk iu është dhënë asnjë arsyetim se pse po ndodhë ky maltretim ndaj tyre duke iu thënë vetëm se duhet të presin në kufi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat