Kurti: Përgjegjësitë që i kemi në shtet kanë rrënjë tek gjaku i dëshmorëve

Aktuale

Kurti: Përgjegjësitë që i kemi në shtet kanë rrënjë tek gjaku i dëshmorëve

Më: 18 prill 2024 Në ora: 15:39
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se plagët e krimeve serbe vazhdojnë të kullojnë, pasi urdhërdhënësit edhe ekzekutorët nuk u përballën asnjëherë me drejtësinë. Këto komente i pari i ekzekutivit i bëri pas homazheve të sotme në kompleksin e dëshmorëve në fshatin Dyz të Podujevës, në 25 vjetorin e masakrës së kryer nga forcat pushtuese serbe.

“Forcat e Serbisë këtu në trevat e Llapit e Gollakut, në Dyz e Koliq, kanë vrarë gjithsej mbi 200 të paarmatosur e të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël. Gjithashtu, sot e kësaj dite ndonëse e kemi lirinë, pavarësinë, shtetin e demokracinë, nuk e kemi edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli e në veçanti familjet dhe për këto plagë të hapura që vazhdojnë të kullojnë, meqenëse edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët nuk u përballën asnjëherë me drejtësinë”, ka thënë Kurti.

Ai tutje tha se në Dyz janë 36 varre, por gjithsej janë mbi 200 nga kjo trevë, sepse para 25 vjetëve banorët e këtyre trevave përpiqeshin që të gjenin rrugën e shpëtimit në fshatra si Makovc, Llukar, Grashticë, Dyz e Koliq, por ata ishin  të ndjekur prej forcave të cilat nuk kanë pasur dilema mbi vrasjen e shqiptarëve.

“Të vetmet dilema i kanë pasur si t’i zhdukin gjurmët e krimit e kufomat dhe në këtë mënyrë të mos merrej vesh ai krim. Por, e vërteta dihet, e vërteta e plotë ndodhet në arkivat e ushtrisë e të policisë në Beograd”, ka shtuar Kurti.

Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë që të veprojnë me përkushtim për të ngritur aktakuza dhe për të gjykuar këto krime.

“Neve na nevojitet drejtësia dhe për këtë i bëj thirrje edhe një herë prokurorisë e gjyqësorit që të bëjnë gjithçka munden e dinë, të intervistojnë të gjithë dëshmitarët, të grumbullojnë evidencat, materialet dhe të fillohet me aktakuza, me gjykime e me dënime në mungesë për të vrarët në këtë rajon. Ne, nuk duhet të harrojmë se edhe lirinë që e gëzojmë por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet i kanë rrënjët tek gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe tek emrat e tyre që nuk harrohen sepse i përkasin historisë së popullit tonë“, ka theksuar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat