​Regjistrimi i krimeve dhe dëmeve nga lufta, kërkohet nga qeveria ta padisë Serbinë

Aktuale

​Regjistrimi i krimeve dhe dëmeve nga lufta, kërkohet nga qeveria ta padisë Serbinë

Më: 20 prill 2024 Në ora: 11:54
Pamje nga lufta e fundit në Kosovë

Dëmet e luftës së fundit në Kosovë konsiderohen të jenë të mëdha si në njerëz ashtu edhe në ekonomit, të cilat në bazë të vlerësimeve të deritanishme janë mijëra të vrarë, e miliarda dëme në ekonomitë familjare dhe ndërmarrje të shkatërruara.

Në bazë të disa hulumtimeve nga organizata të ndryshme në vend numërohen përafrisht mbi 13 mijë banorë civil të vrarë, prej tyre 1 mijë e 393 janë fëmijë, ndërkaq mbi 20 miliardë euro janë dëme materiale.

Njohës të kësaj çështje vlerësojnë se pas grumbullimit të këtyre informacioneve në mënyrë të saktë pas procesit të regjistrimit të popullsisë të nisur këtë muaj, në kuadër të së cilës do të regjistrohen edhe dëmet në njerëz dhe ato materiale, Qeveria e Kosovës duhet të padisë shtetin serb për të gjitha krimet makabre që ka bërë. Ata derisa thonë se presin rezultate pozitive në këtë drejtim, shprehen të shqetësuar se gjeneratat e reja mund të mos kenë njohuri të shumta rreth dëmeve që ka shkaktuar Serbia ndaj shtetit tonë.

Megjithatë, shprehen se këto të dhëna duhet të prezantohen edhe tek opinioni botëror, pasi sipas tyre, kjo çështje është pak e njohur tek ata.

Studiuesi i arkivistikës, Jusuf Osman thotë se sipas evidencës që ka bërë janë të vrarë mbi 13 mijë banorë civil, prej tyre mbi 1 mijë e 300 fëmijë. Sipas ti, kjo është dëshmia më e mirë për krimet makabre që ka bërë Serbia ndaj Kosovës.

Ai derisa tregon se ka mjaft dëshmi, thotë se janë rrënuar më se 1 milion shtëpi, mandej në 1 mijë e 100 vendbanime në Kosovë që janë prek nga dhuna dhe terrori.

Osmani: Krimet nuk vjetërsohen, pushteti jonë në këtë drejtim duhet të padisë shtetin serb për këtë gjenocid

“Kulminacionin e arrin në luftën e fundit nga agresori serb në vitin 1998/99. Kur vriten më se 13 mijë e 250 banorë civil të cilët kam regjistruar me emër dhe mbiemër prej tyre 1 mijë e 393 janë fëmijë, nga ata 299 janë fëmijë deri në moshën pesë vjeçare, kjo dëshmon për krimet makabre që janë bërë, sepse krimet nuk vjetërsohen dhe pushteti jonë në këtë drejtim duhet të padisë shtetin serb për këtë gjenocid, sepse edhe me konventat ndërkombëtare janë të mbrojtur civilët siç është ajo e vitit 1949 e Gjenevës, por jo vetëm krime dhe vrasje, por është rrënuar e tërë ekonomia e Kosovës. Janë rrënuar më se 1 milion shtëpi, sipas evidencës time, mandej në 1 mijë e 100 vendbanime në Kosovë që janë prek nga dhuna dhe terrori, mos të flasim për gjitha objektet, sepse qëllimi ka qenë të pastrohet Kosova duke marrë edhe dokumentet personale. Pra, të gjitha janë bërë që të hupen gjurmët. Pra, ne duhet të punojmë, të botojmë, për krimet serbe, dhe ajo që kam botuar është edhe për krimet e fëmijëve. Prandaj, kemi mjaft dëshmi, por duhet ta prezantojmë të vërtetën, sepse opinioni botëror, ndërkombëtar pak është i njohur. Fatkeqësisht edhe të rinjtë tanë veç kanë filluar të harrojnë, harresa është krim tjetër që e bëjmë ndaj viktimave e sidomos ndaj dëshmorëve. Është iniciativë shumë e mirë, edhe pse me vonesë, ne po regjistrojmë dëmet dhe krimet në Kosovë”, thekson Osmani.

Osmani derisa shprehet i shqetësuar që të rinjtë mund të mos i dinë dëmet që ka shkaktuar lufta fundit, thotë se sipas hulumtimit të bërë, komuna e Skenderaj ka më së shumti viktima në vend.

Osmani: Të dhënat kanë qenë të freskëta, tash janë harruar, kanë shkuar gjeneratat

“Edhe pse me vonese, është dashur më herët, sepse të dhënat kanë qenë të freskëta, tash janë harruar, kanë shkuar gjeneratat, por presim që të kemi një rezultat pozitiv, dhe në bazë të tyre dhe dëshmive tjera ta padisim qeverinë serbe në instanca ndërkombëtare për krimet që ka bërë ndaj popullatës shqiptare... Dëmet e luftës janë aq të mëdha, sa kanë pësuar komunat e tëra, komuna që ka pësuar më së shumti në viktima është Skenderaj me 1 mijë 359, pastaj Gjakova me 1 minë e 242, e me radhë deri te komuna e fundit. Ndërsa, qyteti më i rrënuar në Kosovë është Peja, qyteti ku janë vrarë më së shumti fëmijë është Gjakova”, thotë mes tjerash Osmani.

Ndërsa, themeluesi i Institutit për Kërkim Zhvillimor “Riinvest”, Muhamet Mustafa, thotë se në aspektin e kërkesave ndaj Serbisë, kjo çfarë deklarojnë njerëzit mund të mos jetë shumë relevante, mirëpo konsideron se shteti ynë duhet të punojë më shumë në mënyrë që të paraqesë të vërtetën e gjenocidit serb të bërë në Kosovë.

Sipas tij, në këto dëme duhet të përfshihen edhe pagat e humbura, shkatërrimi i sistemit buxhetor, pensionet, pra të gjitha aspektet që janë vlerësuar edhe më herët nga ekspertet tjerë në këtë drejtim.

Mustafa: Në aspektin e kërkesave ndaj Serbisë, kjo çfarë deklarojnë njerëzit mund të mos jetë shumë relevante

“Sigurisht është një burim informacionit, po supozoj se është bërë për nevojat e institutit që është formuar. Edhe pse në aspektin e kërkesave ndaj Serbisë, kjo çfarë deklarojnë njerëzit mund të mos jetë shumë relevante. Vlerësimi i dëmeve nuk është se nuk është bërë deri tani, është bërë menjëherë pas lufte në dy apo dre drejtime. Organet e rezistencës paqësore kanë bërë vlerësimin e dëmeve, gjithashtu edhe qeveria e përkohshme prej çdo komune ka kërkuar që të bëhet vlerësimi i dëmeve. Përpos kësaj instituti Riinevst ka bërë një anketë në 3 mijë e 500 familje sipas mostrës së rastësishme, standarde ndërkombëtare dhe i ka përfshirë të gjitha aspektet e dëmeve të luftës, duke filluar nga demet në banim, biznese familjare, pajisje shtëpiake, në shpenzime që kanë pasur pas depërtimit të popullsisë dhe ky institut menjëherë ka themeluar 17 komisione prej eksperteve që të shqyrtohen demet në ekonominë e Kosovës, dhe 300 ndërmarrje private me mostër të rastësishme. Kështu, ka bërë një bazë për t’i vlerësuar dëmet e luftës. Përveç kësaj, në kudër të bisedave që janë bërë në Vienë, e që është prezantuar ky aspekt për statusin e Kosovës kam udhëhequr ekipin e ekspertëve ku kanë qenë rreth 50 ekspertë. Kemi pas edhe një nëngrup për dëmet e luftës dhe të tjerat që ka bërë Serbia, dhe aty kemi vlerësuar të gjitha dëmet që janë bërë, qoftë për shkak të pagave të humbura, shkatërrimit të sistemit buxhetor, dezinvestimit, për pensionet, të gjitha aspektet janë përfshirë dhe janë vlerësuar prej eksperteve, janë sintetizuar në një material që i janë dorëzuar ekipit, nuk kanë qenë vetëm të Riinvest-it, por kanë qenë të ekipit të unitetit dhe janë aprovuar aty dhe janë prezantuar në vijim”, thotë Mustafa.

Mustafa thotë se pavarësisht se në marrëveshjen e Ohrit nuk janë trajtuar këto çështje, konsideron se kjo nuk do të thotë që Kosova nuk ka mundësi që t’i kërkojë këto zhdëmtime.

Mustafa: Me marrëveshje të Ohrit nuk janë trajtuar këto probleme, por kjo nuk do të thotë që Kosova nuk ka mundësi që t’i kërkojë këto zhdëmtime

“Përveç kësaj edhe në bisedat që i kemi pasur në vitin 2020 në Bruksel, kam qenë pjesë, këshilltar në cilësi të ekspertit dhe kemi bërë një material kiu kemi përfshirë gjitha këto marrëveshje. Mandej me marrëveshje të Ohrit nuk janë trajtuar këto probleme, por kjo nuk do të thotë që Kosova nuk ka mundësi që t’i kërkojë këto zhdëmtime. D.m.th sipas vlerësimeve që janë bërë, me çmime të atëhershme kanë qenë rreth 22 miliardë dollarë të gjitha këto aspekte. Fakti se dëmet e luftës janë vlerësuar mirë me anketë, por edhe prej komunave është një argument që vlerësimet e organeve të përhershme të qeverisë të Kosovës dhe komunave dhe atyre që ka bërë LDK në kohen e rezistencës janë përputhur me një dallim shumë të vogël, është një dallim as tetë për qind mes dyve, është bërë një vlerësim profesional...04:32 Është një kohë, 25 vjet gati edhe njerëzit shumë të ri që janë aty që do të përgjigjen, ata edhe nuk e dinë së çfarë ka ndodhur në luftë, por shpresoj ta dinë dhe kjo të jap rezultat”, shton Mustafa.

Drejtori i Agjencisë së Statistikave në Kosovë, Avni Kastrati thotë se në pyetësor përfshihen ato dëme që janë shkaktuar në objekte fizike dhe në njerëz. Sipas tij, këto pyetje është dashur të bëhen në vitin 2011 pasi të dhënat kanë qenë më të freskëta.

Kastrati: Në dëmet e luftës përfshihen ato dëme që janë shkaktuar në objektet fizike, dhe në njerëz

“Në dëmet e luftës përfshihen ato dëme që janë shkaktuar në objektet fizike, dhe në njerëz. Janë disa nën pyetje që janë të qasshme për secilin, janë kryesisht për demet fizike, materiale dhe në njerëz. Vetëm pesë pyetje janë, sepse qëllimi i regjistrimit është të regjistrohet diçka tjetër si rezidente, por, ka qenë e nevojshme sepse Kosova në të kaluarën, në vitin 2011 nuk i ka pas këto pyetje edhe pse ishin dashtë me qenë, sepse shtetet që dalin pas lufte zakonisht i kanë këto pyetje...Ne ato të dhëna data bazën e mbështesim institucioneve që janë përkatëse, vetëm ua japim të dhënat e tyre”, deklaron Kastrati.

Për herë të parë në Kosovë do të regjistrohen tani edhe dëmet dhe krimet e shkaktuara nga lufta e fundit në vend nga forcat serbe.

Kujtojmë se, në nëntor të 2023-tës, ekzekutivi në Kosovë themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në bazë të ligjit, Instituti duhet t’i trajtojë disa lloje krimesh, shembull krimet kundër njerëzimit, krimet ekonomike, krimet ushtarake, krimet psiko-sociale dhe ato të bëra në ambient.

Ndërkaq, në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.

Në një raport të shtatorit të vitit 1999, të përpiluar prej Komitetit për Çështje Ekonomike dhe Zhvillim të Këshillit të Evropës, përmendet se organizatat atëbotë aktive në Kosovë vlerësonin që mbi 120.000 objekte banimi ishin bërë të pabanueshme.

Sipas raportit të HRË-së, ngjashëm pësuan edhe shkollat dhe xhamitë: “Sipas vlerësimeve të OKB-së, në Kosovë janë dëmtuar 649 shkolla – më shumë se një e pesta e shkollave të inspektuara janë dëmtuar për mbi 60 për qind ose janë shkatërruar plotësisht”.

Shumë dëshmitarë janë cituar të kenë thënë se forcat serbe u kishin grabitur gjëra me vlerë, përfshirë unazat e martesës e automjetet, dhe se i kishin kërcënuar me jetë nëse nuk do t’ua dorëzonin të gjitha paratë që i kishin.

Lufta besohet se ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm psikologjik dhe emocional, se ka kthyer tejet mbrapa zhvillimin ekonomik, se i ka penguar investimet e huaja, se ka shkaktuar jostabilitet politik dhe tensione sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat