Përfundon procesi i votimit në veri – dështoi nisma për largimin e kryetarëve

Aktuale

Përfundon procesi i votimit në veri – dështoi nisma për largimin e kryetarëve

Nga: Bota sot Më: 21 prill 2024 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 20:26 më 21.04.2024
KQZ

​Dështimi në veri, Krasniqi fajëson Serbinë e Listën Serbe

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka akuzuar Beogradin zyrtar dhe Listën Serbe, se kanë urdhëruar bojkotimin e procesit të votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve në katër komunat veriore, ndërkohë që i ka bërë thirrje BE-së të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës.

Krasniqi në rrjetin social X ka shkruar në gjuhën angleze se Qeveria e Kosovës ka siguruar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre demokratik.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në katër komunat veriore – pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të mos bëhet një gjë e tillë”, shkroi ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve. Në procesin e sotëm të votimit kanë marrë pjesë vetëm 253 persona.

Ministri Krasniqi ka thënë se ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës.

Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës. Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të frenohet më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.

Më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja.

Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka thënë ajo.

Bashkimi Evropian vitin 2023 ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatës në veri. BE ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë.

EULEX-i përshëndet mënyrën paqësore të zhvillimit të votimit në veri

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano është shprehur i kënaqur se si ka shkuar procesi i votimit në katër komunat veriore.

Përmes një postimi në platformën X, Barbano ka thënë se për EULEX-in është i pranueshëm zhvillimi i një procesi paqësor të votimeve.

Pas përfundimit të votimit, EULEX-i pranon mënyrën paqësore në të cilën u zhvillua procesi. Përshëndesim përpjekjet e shfaqura nga të gjithë ata që janë përfshirë në ofrimin e sigurisë në 4 komunat veriore gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Barabano.

Ndryshe pas përfundimit të votimit në veri, Presidentja Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në proces.

Ajo tha se qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan mundësinë për ndryshimin e kryetarëve për shkak të presionit të Beogradit.

Policia: Procesi i votimit në veri kaluar i qetë – pa incidente

Policia e Kosovës, ka njoftuar se përmes hartimit të urdhrit operativ policor, me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me procesin e votimit në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, i cili u mbajt sot me 21 prill 2024.

Procesi në aspektin e sigurisë ka kaluar i qetë dhe pa incidente deri në mbylljen e qendrave të votimit.

Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit të votimit ishin angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por kanë qenë të paraparë edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, brenda Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces të votimit ishte:

Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e katër komunave veriore të vendit, mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të votimit.

Sigurimin e Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depove Qendrore.

Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj këtij procesi, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Planifikimi dhe implementimi i këtij procesi të votimit është menaxhuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) sipas kompetencave ligjore, përderisa Policia e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, ndërmarrjen e të gjitha masave preventive, operative dhe hetimore për krijimin e një ambienti të sigurt gjatë gjithë procesit të votimit dhe pas saj, si dhe ka asistuar në kërkesat e KQZ-së.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

​Mblidhet materiali zgjedhor në Leposaviq

Pak pas orës 19:00, atëherë edhe kur u mbyllën qendrat e votimit në Leposaviq, ka nisur bartja e materialit të votimit.

Sipas të dhënave nga KKZ, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në ora 15:00 në komunën e Leposaviqit ka qenë 122 nga mbi 13 mijë sa kishin të drejtë, në tetë qendra votimi.

Për shkarkim të kryetarëve duhet të ketë së paku 50 për qind plus një votues me të drejte vote, në secilën nga katër komunat.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka hedhur poshtë mundësinë e falsifikimit të votave dhe shkeljen e mundshme të privatësisë gjatë procesit të votimit sot në katër komunat veriore.

Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se vendosja e kabinave dhe kamerave do ta pamundësojë fotografimin e votës dhe nuk e cenon fshehtësinë e saj.

Ai ka theksuar se i gjithë procesi i votimit nuk monitorohet nga KQZ dhe se filmimet e kamerave do të shkatërrohen së bashku me materialin zgjedhor në rast se nuk do të ketë kërkesa nga institucionet.

Ndryshe, sot banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut kishin rastin të vendosin pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet e mbledhura nga mesi i muajit janar.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi, ka ftuar për bojkot të këtyre zgjedhje.

KQZ do të mbajë konferencën e radhës në ora 19:30, ku do të del me ecurinë e procesit e votimit në tërësi.

Asnjë votë në kuti! Mbyllet qendra e votimit në Zveçan

Qendra e votimit në Zveçan u mbyll dhe sikurse raportohet paraprakisht, askush nuk iu drejtua kutive të votimit, për të votuar.

Në katër komunat në veri të Kosovës, mbahet sot zgjedhjet me pyetjen drejtuar qytetarëve nëse duan apo jo të largojnë kryetarët aktualë shqiptarë.

Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Detaje tjera nuk u japen.

 

Kastrati: Deri më tani në Zubin Potok kanë votuar 17 qytetarë

Agim Kastrati zyrtar i lartë komunal nga KQZ për Komunën e Zubin Potokut ka thënë se procesi zgjedhor gjatë ditës ka shkuar mirë.

Në një prononcim për median ai ka thënë se ashtu si komunat tjera edhe këtu pjesëmarrja ka qenë shumë e ulët.

Ne si KQZ u kemi dhënë mundësi votuesve të votojnë. Situata është si është. Deri tani kanë votuar 17 votues, apo 0.25 për qind e trupës elektorale. Procesi është zhvilluar pa asnjë incident”, ka deklaruar Kastrati.

Ai thotë se moti nuk ka qenë aspak i përshtatshëm por janë marrë masa.

“Sidomos në kontejnerë temperaturat kanë qenë shumë të ulëta, por anëtarët e qendrave të vendvotimit janë përgatitur dhe janë veshur pak më trashë”.

Kastrati ka thënë se materiali zgjedhor është shpërndarë në kohë dhe sipas tij kësaj radhe edhe ushqimin për komisionerët e ka siguruar KQZ.

Ndryshimi i pozicionimit të kabinave të votimit, KQZ: E pamundëson fotografimin e votës, s’e cenon fshehtësinë e saj

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha në një konferencë për media se ndryshimi i pozicionimit të kabinave të votimit në vendvotimet në katër komunat veriore të Kosovës erdhi si rekomandimin në vitin e kaluar gjatë kohës së simulimit të procesit zgjedhor.

Elezi tha se kjo s’e rrezikon fshehtësinë e votës.

“KQZ pas proceseve zgjedhore analizon të gjitha aspektet dhe bën përpjekje për përmirësimin e tyre në proceset e ardhshme. Në këtë drejtim është edhe ndryshimi i pozicionimit të kabinave të votimit që ka ardhur si rekomandim në vitin e kaluar, 2023, gjatë kohës së simulimit të procesit zgjedhor.

KQZ ka vendosur që të marrë parasysh këtë rekomandim dhe ta praktikojë në proceset vijuese.

Gjatë analizimit, KQZ ka vlerësuar se kjo mënyrë do të pamundësojë fotografimin e votës nga votuesi dhe gjithashtu nuk cenon fshehtësinë e votës”, tha Elezi.

​Votimi në veri, fshirja e kamerave së bashku me shkatërrimin e materialit zgjedhor

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka hedhur poshtë mundësinë e falsifikimit të votave dhe shkeljen e mundshme të privatësisë gjatë procesit të votimit sot në katër komunat veriore.

Duke folur rreth vendosjes së kabinave të votimit kah muri dhe nëse kjo shkel ligjin, zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se kjo mënyrë e pozicionimit do ta pamundësojë fotografimin e votës dhe nuk e cenon fshehtësinë e votës.

Elezi: Pozita e kabinave nuk rrezikon fshehtësinë e votës

“KQZ pas proceseve zgjedhore analizon të gjitha aspektet dhe bënë përpjekjet për përmirësime në proceset e ardhshme zgjedhore. Në këtë drejtim është edhe pozicionimi i kabinave të votimit që ka ardhur si rekomandim gjatë vitit 2023, gjatë kohës kur kemi organizuar në KQZ stimulim të procesit zgjedhor, por që ka qenë një aktivitet i brendshëm për të parë se si bëhet një proces votimi në ditën e zgjedhjeve. KQZ ka marrë parasysh që të marrë këtë rekomandim dhe ta praktikojë në proceset vijuese. Gjatë analizimit, KQZ ka vlerësuar se kjo mënyrë e pozicionimit të kabinave të votimit do ta pamundësojë fotografimin e votës dhe nuk e cenojnë absolutisht fshehtësinë e votës dhe po ashtu vendosja e kabinave të votës në këtë mënyrë është një model që praktikohet në shumë vende të tjera,” ka thënë Elezi.

Elezi ka folur rreth vendosjes së kamerave në procesin e votimit, duke thënë se një gjë e tillë në asnjë rrethanë nuk e cenon fshehtësinë e votës, derisa i gjithë procesi nuk monitorohet nga KQZ dhe se filmimet e kamerave do të shkatërrohen së bashku me materialin zgjedhor në rast se nuk do të ketë kërkesa nga institucionet.

Elezi: Kamerat nuk cenojnë privatësinë

“Vendosja e kamerave në votime, nuk është vendim që do të shërbejë për këtë proces zgjedhor, por do të praktikohet edhe në proceset e ardhshme kurdo që ato të zhvillohen...KQZ nuk monitoron regjistrimin apo funksionimin e këtyre kamerave online, nuk ka dhomë të veçantë ku shikon në ekrane këto filmime. Qasja mund të bëhet me vendim të institucioneve, KQZ, PZAP, prokurorisë apo gjykatave nëse ka ndonjë rast, në të kundërtën fshirja e këtyre imazheve bëhet së bashku me shkatërrimin e materialit zgjedhor pas procesit të votimit,” ka thënë Elezi.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në ora 19:30 dhe ajo ka të bëjë me procesin e votimit në tërësi.

Sot, banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, do të vendosin pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet e mbledhura nga mesi i muajit janar. 

​Shkarkimi i kryetarëve, vetëm 203 qytetarë votuan deri në 15:00

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka dhënë detajet më të reja mbi procesin e votimit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi duke u mbështetur në të dhënat e pranuara deri më tani nga komisionet komunale të zgjedhjeve, ka bërë të ditur se procesi i votimit është duke vazhduar dhe se qendrat e votimit vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote.

Elezi: Vetëm 203 votues deri në 15:00, në Zveçan nuk voton askush

Sipas të dhënave nga KKZ në këto komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në ora 15:00 janë si në vijim: në Leposaviq kanë votuar 122 votues, në Zubin Potok 17, Zveçan nuk ka ndonjë votues dhe në Mitrovicë të Veriut 64 votues”, ka thënë ai.

Elezi ka ftuar qytetarët e katër komunave në veri që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të marrin pjesë në procesin e votimit për t’u shprehur pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve në këto komuna. 

​Vetëm 17 votues në Zubin Potok deri në ora 15:00

Vetëm 17 qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në Komunën e Zubin Potokut në procesin e votimit "pro" apo "kundër" shkarkimit të kryetarit të komunës, Izmir Zeqiri.

Nga mbi 6 mijë qytetar me të drejtë vote në këtë komunë, vetëm 17 prej tyre e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë. Kështu ka bërë të ditur, zyrtari i caktuar nga KQZ, Agim Kastrati.

Ndonëse, numri i votueseve është i vogël, ai ka thënë se nuk dihet arsyeja e kësaj.

Kastrati: Deri në ora 15:00 të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 17 qytetarë

"Sipas informacioneve nga vendvotimet deri në ora 15:00 të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 17 qytetarë. Procesi deri tani ka shkuar mirë, mungesa e votueseve, nuk i di arsyejet, ne nuk kemi ndonjë informacion për ndonjë problem në qendër të votimeve", tha ai.

Kastrati shtoi se çdo gjë është duke shkuar në rregull, pavarësisht se kushtet nuk janë më të mirat.

Kastrati: Kushtet nuk janë më të mirat, megjithatë vendvotimet po funksionojnë

"Sa i përket aspekteve teknike çdo gjë është në rregull, materiali është i mjaftueshëm. Kushtet nuk janë më të mirat, megjithatë vendvotimet po funksionojnë. Ka probleme me nxemje, sidomos në qendrat e votimit ku janë të instaluara kontinjerët", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat