Qeveria vjen me reagim për votimin e djeshëm në veri

Aktuale

Qeveria vjen me reagim për votimin e djeshëm në veri

Më: 22 prill 2024 Në ora: 10:21
Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë lidhur me dështimin e votimit të djeshëm për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë në Veri.

Qeveria ka përgëzuar KQZ’në dhe institucionet e sigurisë që procesi u përmbyll pa asnjë incident.

“Në Komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, dje u mbajt procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave, sipas udhëzimit administrativ, mbështetur në nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Procesi u përmbyll pa asnjë incident. Për këtë, përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tona të sigurisë.”

Qeveria ka thënë se Lista Serbe, “që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm”, përsëri bojkotoi votimin përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe “interesit qytetar”.

“Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar.”

Qeveria ka shprehur keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votim dhe falënderoi ata që e shfrytëzuan këtë të drejtë, dhe ka shtuar se rezultatet e djeshme tregojnë që nuk ka vullnet për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë.”

Qeveria ka thënë se janë të gatshme për të bashkëpunuar me kryetarët në Veri.

“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim.”

Qeveria ka thënë se është koha që të hiqen masat kundër Kosovës pas përmbushjes së obligimit që mori për deeskalimin e situatës në Veri.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat