Kurti pritet nga krerët më të lartë të Bullgarisë

Aktuale

Kurti pritet nga krerët më të lartë të Bullgarisë

Nga: H.O. Më: 22 prill 2024 Në ora: 21:48
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeminisitri Albin Kurti ka publikuar në Facebook detajet e vizitës së tij të parë në Sofje të Bullgarisë.

Ai tregon se është pritur nga krerët më të lartë të këtij shteti, Kryeministrin në detyrë, Dimitar Glavchev me të cilin u takua për herë të parë, dhe me Presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë.

Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas Sofjes do të udhëtojnë drejt Gjermanisë.

Postimi i plotë:

Vizita e parë në Sofje të Bullgarisë. U pritëm nga liderë shtetërorë dhe morëm pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që kësaj radhe mbajti punimet në kryeqytetin bullgar.

Qëndrimin atje e filluam me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit. Në fjalën përshëndetëse vura theksin te rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal drejt integrimit më të madh ekonomik dhe prosperitetit për rajonin tonë.

Për marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve tona, sfidat dhe mundësitë, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal biseduam me Kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Dimitar Glavchev me të cilin u takuam për herë të parë, dhe me Presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë.

Ndërmjet takimeve me krerë të shtetit bullgar, isha folës në sesionin e diskutimit me titull "Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal", në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës që sivjet u zhvillua me moton "Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohë të vështira". Aty shpalosëm historinë tonë të suksesit dhe arritjet përgjatë qeverisjes sonë dhe vizionin tonë për sektorin e teknologjisë që dita ditës po bëhet identitet i vendit.

Pas Sofjes, vazhdojmë drejt Hanoverit të Gjermanisë bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për më shumë takime me ndërmarrës, investitorë potencialë dhe përfaqësues politikë të landit gjerman Niedersachsen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat